“Burdushi” nuk e pranon fajësinë për mashtrim dhe pasurim të kundërligjshëm deri në një milion euro

Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”, të premten, është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 shtator 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Hysri Peqanit i njohur me nofkën “Burdushi” për shkak të veprës penale ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpërlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.

Pas mohimit të akuzave nga ana e “Burdushit”, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti ka udhëzuar mbrojtjen që deri para shqyrtimit të dytë mund të paraqesin kundërshtimet për provat e cekura në aktakuzë dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Të pranishëm në këtë shqyrtim fillestar ishin, prokurorja speciale Merita Bina-Rugova dhe avokatët mbrojtës të të akuzuarit, Durim Osmani dhe Feim Alaj.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar të mbahet më 18 nëntor 2020 në ora 13:00, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar, së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar “aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 deri më 26 korrik 2019, në Prizren, në selinë e këtij biznesi, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse , me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore ka dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve ju ka kryer trajtime të improvizuara, të kota duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë ti paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3000 euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

Për këto, ai akuzohet se ka kryer veprën penale, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.

Prokuroria speciale e ngarkon të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie të tipit “Super Campion”.

Prokuroria pretendon se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare , ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Për këto veprime ai akuzohet për veprën penale të shpërlarjes së parave nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.