Burimi që thuhet se shëron lukthin dhe lëkurën

Nexhmedin Azemi kishte marrë rrugë nga Vitia, bashkë me gruan e tij që të mbush kovat me ujë. Ai kishte dëgjuar se burimi i cili del nga shkëmbinjtë e fshatit Baicë, është shërues.

Nexhmedin Azemi, i cili ka probleme me lukth tash e një kohë të gjatë, ishte shumë entuziastë që ky ujë do t’i ndihmonte në shërimin e tij. Ai ka thënë se për këtë burim, kishte dëgjuar krejt rastësisht nga një mik i tij.

“Kam probleme me lukth prej një kohë të gjatë, dhe me të dëgjuar për këtë burim erdha ta provoj këtë ujë sa ka efekt në shërimin tim. Jam nga Mugilla e Vitisë dhe erdhëm të provojmë vetitë shëruese të ujit. Kam qenë edhe në Zvicër, para një jave jam kthyer. Kam marrë edhe atje trajtim por deri më tani pa efekt”, tha për RTV Dukagjinin, Nexhmedin Azemi.

Burimi në fshatin Baicë, i cili është i rrethuar me male, del nga shkëmbinjtë dhe pavarësisht stinëve, ai çdoherë është i ngrohtë.

Sipas banorëve të këtij fshati, ky ujë ka shëruar shumë persona, të cilët kanë pasur probleme me lukth apo me lëkurën.

Madje Jusuf Bellagoshi, banor i fshatit, tregoi një rast, se si një vajzë i ka shpëtuar operacionit, me të pirë këtë ujë.

“Jam i lindur dhe i rritur në këtë fshat. Sipas të dhënave të pleqve por edhe të dhënave tona ky burim ka ujë shërues. Shëron lukthin dhe puçrrat e fëmijëve, por edhe plagët në përgjithësi i shëron. Një vajzë nga Shala ka pasur probleme me lukth. Ajo ka jetuar dhe punuar në Gjermani dhe ka bërë një termin për operacion në Gjermani. Ajo ndërkohë ka ardhur këtu dhe ka përdorur këtë ujë. Kur është kthyer në Gjermani kishte qenë e shëruar. Pra i ka shpëtuar operacionit duke befasuar edhe mjekët në Gjermani”, tregon banori i këtij fshati, Jusuf Bellagoshi.

Vjetërsia e këtij burimi nuk mbahet mend. Thonë që është i vjetër sa vetë malet.

Sipas banorit Beqir Bylykbashi, jo vetëm nga fshati, por me këtë ujë, shërbehen të gjithë fshatrat përreth. Sipas tij, nuk e mban mend nëse dikush në këtë fshat ka vuajtur nga sëmundjet e lukthit.

“Burimi ekziston edhe kur fshati nuk ka pasur banorë. Një pjesë del më i nxehtë, pjesa tjetër pak më i ftoftë. Gjatë verës pastrohen fëmijët pa ndonjë frikë për ftohje të tyre. Vijnë edhe nga fshatrat tjera pasi njerëzit e kanë vërtetuar se u bën mirë për shëndetin e tyre. Kur e kanë provuar njëherë, e kanë vërtetuar se u bën mirë për pezmatimet e lukthit e gjëra të ngjashme. Kështu që vijnë nga Theranda e Kaçaniku pasi ata që e kanë provuar ua kanë përcjellë edhe banorëve tjerë”, shprehet qytetari tjetër Beqir Bylykbashi.

Ndonëse gurgullima e tij është e vogël, mrekullia që bën ai është e madhe. Banorët e fshatit thonë se janë me fat që e kanë një burim të tillë.

SHPËRNDAJE