Challandes tregon se kur mund të luhet ndeshja me Maqedoninë e Veriut

Në kushte normale Bernard Challandes do të ishte duke analizuar paraqitjet e Kosovës në ndeshjet me Maqedoninë e Veriut dhe eventualisht me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë.

Por për shkak të koronavirusit ndeshjet e plejofit për Euro 2020 janë shtyrë fillimisht për qershor e tashmë për afat të pacaktuar. Ato ndeshje është dashur të luhen në fund të marsit.

Përzgjedhësit të Kosovës, Challandes, po i mungon futbolli, por zvicerani 68-vjeçar assesi nuk rri larg tij. Challandes ditët po i kalon në shtëpinë e tij në La Chaux-du-Milieu, në Zvicër.

“Natyrisht se më mungon futbolli. Por unë dhe familja ime jemi mirë. Më vjen keq vetëm që nuk mund të shoh nipërit e mi”, ka thënë Challandes për Aargauer Zeitung.

Përzgjedhësi i Kosovës, që vlerësohet lartë për punën e tij me “dardanët”, ka treguar se del për shëtitje në mal dhe po ashtu punon në kopsht.

Por prioritet për të mbetet futbolli. Aktualisht po i studion goditjet standarde. Shtyrjen e ndeshjeve po e shfrytëzon për t’u përgatitur edhe më shumë.

“Tani kam kohë për të përgatitur ekipin edhe më mirë për plejof. Po merrem me situatat standarde”, ka treguar Challandes. Idetë e tij ua përcjell futbollistëve, me të cilët mbanë kontakt nëpërmjet telefonit.

“Nuk është situatë e lehtë në Kosovë”, ka thënë Challandes duke folur për pandeminë, por edhe për zhvillimet politike në vend. “Do të ishte shumë më mirë sikur ekipi nacional i futbollit do të bënte njerëzit të lumtur duke u kualifikuar në Evropian”.

Kosova është dy fitore larg Evropianit. UEFA nuk ka njoftuar se kur do të luhen ndeshjet e plejofit. Por Challandes ka një ide.

“Supozoj se plejofin do ta luajmë në nëntor”, ka thënë ai.

Idetë e Challandesit e kanë afruar Kosovën me Evropianin. Falë lojtarëve që i drejton ai dhe punës që ai bënë, Kosova vazhdon të ëndërrojë.

SHPËRNDAJE