Çka mund të ndodhë në seancën e 24 dhjetorit?

Gjersa marrëveshja e formimit të koalicionit qeverisës Vetëvendosje-Lidhja Demokratike e Kosovës nuk duket në horizont, presidenti Hashim Thaçi ka thirrur seancë për konstituimin e Kuvendit me 24 dhjetor.

Në këtë seancë pritet që kryetari i Kuvendit të propozohet nga grupi më i madh parlamentar, që në këtë rast është Vetëvendosje dhe të zgjidhen pesë nënkryetarë.

Më pas vjen zgjedhja e qeverisë, e pas konsultimit me partitë politike apo koalicionet që kanë shumicën e nevojshme për të formuar një qeveri, Presidenti i Kosovës propozon një mandat prej 15 ditësh për të propozuar kabinetin.

Por nëse mandatari i parë nuk arrin të fitojë shumicën në Kuvendin e Kosovës, atëherë presidenti cakton një kandidat tjetër brenda 10 ditëve, sipas procedurës së njëjtë.

Në qoftë se edhe përpjekja e dytë nuk është e suksesshme në këtë rast shpallen zgjedhje të reja.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit me kandidatin e saj për kryeministër Albin Kurti.

Në bazë të rezultateve të certifikuara nga KQZ për subjektet politike, Vetëvendosje ka 29 ulëse, LDK ka 28 ulëse, PDK ka 24 ulëse, koalicioni AAK-PSD ka 13 ulëse, Lista Serbe ka 10 ulëse, koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 ulëse.

Me 22 nëntor, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti u takua me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, ku pas takimit që të dy konfirmuan se pas certifikimit të rezultateve nga KQZ, do të takohen ta përmbyllin marrëveshjen për koalicion qeverisës.

Megjithatë edhe pas certifikimit të zgjedhjeve duket se nuk ka marrëveshje, kjo pasi që LDK insiston në postin e presidentit, gjë të cilën VV nuk është e gatshme ta japë.

Në takimin e fundit Kurti-Mustafa vetëm është dakorduar që të intensifikohen takimet në baza ditore, pa përcaktuar një datë për arritjen e koalicionit. /Arbresh

SHPËRNDAJE