Çka të bëhet me Asociacionin? (I)

Asociacioni/ Bashkësia e komunave duket që do të jetë një pengesë e madhe në javët e ardhshme në dialogun e Brukselit

Shkruan: Blerim Shala

Çka do të bëhet me Asociacionin/ Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë?

Është kjo një pyetje prej një milion dollarësh (si thuhet), përgjigjen në të cilën aktualisht askush nuk e di: As këtupari, as në Bruksel, as kudo qoftë tjetër.

Megjithatë, janë disa të vërteta politike tashmë të njohura, si këtu ndër ne, ashtu edhe në Bruksel (në selinë e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, që nga marsi i vitit 2011-të), të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me temën e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave.

Të enjten e kaluar (me 17 shtator), u konfirmua sërish ajo çfarë ndër ne, dihet që nga shtatori i vitit 2015, pak ditë pasi që në Bruksel u pati nënshkruar Marrëveshja në mes të Delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, për Parimet themelore të Statutit të këtij Asociacioni/ Bashkësisë. Kjo temë pra, është njëra prej atyre elementeve kyç të përplasjes së vazhdueshme në skenën politike të vendit që prej shtatorit të vitit 2015-të.

Kësaj here, shkas për një gjurulldi të madhe parlamentare në lidhje me këtë temë, ku nuk dihej kush për çka po flet, dhe kush me kë është dhe kush kundër kujt është, ishte Raportimi i Kryeministrit Avdullah Hotit për temën e dialogut dhe rezultatet e tij të fundit, pos tjerash edhe në formë të Marrëveshjes së Washingtonit, të 4 shtatorit, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Çështja e Asociacionit/ Bashkësisë, ishte e pashmangshme edhe në këtë debat parlamentar, dhe ajo u bë shkas për një konfrontim të madh politik, i cili përfshiu edhe hisenikët e mëparshëm në trajtimin e kësaj teme, edhe ata që sot janë pjesë e Qeverisë, e që më parë ishin në opozitë.

Në gjithë këtë lëmsh të diskutimeve dhe debateve parlamentare, të cilat gjithnjë e më shumë po i ngjajnë fushatave të vazhdueshme parazgjedhore, megjithatë, mund të venerohen edhe dy qëndrime të cilat aktualisht, në adresimin e kësaj teme, janë të përbashkëta për të gjithë faktorët relevantë politik në Kosovë.

Natyrisht, këtë nuk duan ta pranojnë publikisht politikanët dhe partitë tona politike.

Së pari, sipas të gjithë politikanëve dhe partive kosovare, Asociacioni/ Bashkësia e komunave me shumicë serbe, duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, Kornizën ligjore të Kosovës dhe me Verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (dhjetor, 2015).

Së dyti, Asociacioni/ Bashkësia e komunave me shumicë serbe, në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, dhe të merr trajtën e një entiteti legal dhe politik serb, i cili do ta vinte në dyshim organizimin e pushtetit lokal dhe qendror të Republikës së Kosovës.

Megjithatë, këto dy qëndrime të përbashkëta në shqyrtimin e kësaj teme, nuk po arrijnë dot të marrin trajtën e një organizimi politik të Kosovës në përballje me sprovën e dialogut të Brukselit. Ndërsa, me gjasë, mënyra më e mirë, mbase edhe e vetme për tu ballafaquar si duhet me këtë sprovë të dialogut gjithsesi problematik dhe të ndërlikuar në Bruksel, është pikërisht ky uniteti politik (aktualisht i munguar) në skenën politike të vendit.

Në anën tjetër, pos këtij dimensioni brenda-kosovar, tema e Asociacioni/ Bashkësisë, është objekt i kundërshtimeve të mëdha në politike në relacionin në mes të Prishtinës dhe Beogradit që nga vjeshta e vitit 2015, dhe kështu është edhe sot e kësaj dite.

Mënyra si autoritetet në Kosovës dhe ato në Serbi e shohin, e analizojnë dhe e vlerësojnë këtë çështje, dallon, si thuhet, si dita me natë.

Pala kosovare, në vjeshtën e vitit 2015-të dhe në gjithë vitin 2016-të, në radhë të parë për shkak të një tensionimi të jashtëzakonshëm politik vendor, i cili njohu edhe shndërrimin e sallës kryesore të Kuvendit të Kosovës në një shesh-betejë ku përdorej edhe gazi lotësjellës, nguroi të mirrej fare me këtë temë.

Qeveria e atëhershme e Kosovës, e koalicionit të madh (siç u pati quajtur), PDK, LDK, me Isa Mustafën së Kryeministër, edhe pse formalisht kishte përkrahjen e mbi 80 deputetëve në Kuvendin e Kosovës, nuk iu qep sygjerimeve të Verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për Parimet e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë, dhe detyrimit të ri-konfirmuar prej kësaj Gjykate për ta bërë Asociacionin/ Bashkësinë, përmes Ekipit Menaxherial (një trup i Qeverisë së Kosovës), i cili kishte obligim ta përgatite Draft-Statutin e Asociacionit/ Bashkësisë.

Atmosfera politike në Kosovë ishte shumë e keqe. Po ashtu, edhe ajo në mes të Prishtinës dhe Beogradit njihte një degradim të madh, pas përplasjes së madhe në mes të Kosovës dhe Serbisë në ndërmarrjen e Kosovës për tu anëtarësuar në UNESCO.

Në anën tjetër, duket që as Beogradit zyrtar nuk i bëhej vonë që nuk po ka përparim në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit (të vitit 2013-të), kur bëhej fjalë për këtë segmentin e saj që përkonte me Asociacionin/ Bashkësinë.

Ishin dy arsye për këtë qasje të Beogradit zyrtar në trajtimin e kësaj teme.

Në njërën anë, Beogradi dëshironte ta fajësonte Prishtinën për vendnumërimin në implementimin e kësaj Marrëveshjeje, dhe në këtë mënyrë ta përmirësonte ndjeshëm pozitën e vet në Bruksel, por edhe në kryeqendrat e tjera perëndimore.

Në anën tjetër, duket që në Beograd kishte ndryshuar tani edhe qëndrimi për këtë Procesin e Brukselit, apo, synohej që të ndryshohej karakteri i tij dhe që Serbia të fitojë më shumë se sa që objektivisht do të mundte përmes Marrëveshjes së 19 prillit.

Sidoqoftë, në këtë mënyrë, siç do të merrej vesh në vitet në vazhdim (pas këtij 2015-të kur ndodhi ngecja e plotë), autoritetet e Kosovës dhe Serbisë humbën momentumin për të ecur në drejtim të bërjes së një Marrëveshjeje Gjithpërfshirese për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, i cili ishe synim i shpallur publikisht nga ana e BE-së, që nga vjeshta e vitit 2010-të.

Në fakt, dihet që dialogu në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, njihte një status të vendnumërimit të plotë që nga ajo vjeshta e vitit 2015-të, deri me 4 shtator të këtij viti, kur u arrit Marrëveshja e Washingtonit në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e Presidentit amerikan, Donald Trump.

Sidoqoftë, pati paralajmërime të qarta nga Zyra e Miroslav Lajčakut, Emisarit Special të BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që në vijim të takimit të dytë në nivelin e lartë në mes të Kryeministrit Hoti dhe Presidentit Vučić, të mbajtur me 7 shtator, i gjithë muaji shtator do t’i dedikohej trajtimit të temave të Aranzhmaneve për komunitete jo-shumicë, Asociacionit/ Bashkësisë, dhe Kërkesave financiare dhe pronësore të dy palëve.

Diçka e tillë, përkundër këtyre paralajmërimeve, nuk ndodhi në takimin e radhës në nivelin punues që u mbajt të enjten e kaluar (me 17 shtator), në Bruksel, ku u trajtua vetëm tema për Kërkesat financiare dhe pronësore të Kosovës dhe Serbisë.

Duket që jo vetëm që ka dallime të mëdha në mes të dy palëve në trajtimin e substancës së temës së Aranzhmaneve për komunitete jo-shumicë, Asociacionit/ Bashkësisë (e cila si e tillë po përcillet me tensione të larta të brendshme në Kosovë), por gjithashtu, ka paqartësi evidente, sa i përket vetë procedurës së dialogut të përtërirë në Bruksel, kur bëhet fjalë për këtë temën e Asociacionit/ Bashkësisë.

Nesër: Cili është ‘Modeli operativ’ i Emisarit Special të BE-së, Miroslav Lajčakut, në bisedimet e Brukselit? A mund të ndodhë përmbysja e tij nga ana e Beogradit zyrtar?

SHPËRNDAJE