Dardan Sejdiu tregon se a i kanë kërkuar 400 mijë euro nga Vetëvendosje

Raportimet në media gjatë ditës së sotme, se Grupi tashmë i pavarur i 12 deputetëve të larguar nga Vetëvendosje, i ka kërkuar partisë së Albin Kurtit, 400 mijë euro, para të cilat VV i ka marrur nga buxheti i shtetit për këta deputetë, i ka mohuar Dardan Sejdiu.

Sejdiu, tashmë shef i Grupit të ri Parlamentar, ka thënë se këto raportime janë shpifje, dhe se nuk kanë kërkuar nga Vetëvendosje, kthimin e këtyre mjeteve.(Kliko mbi reklamë dhe shiko pamjen e plotë ⤵)

“Ajo është shpifje. Një gjë e tillë nuk ka ndodhë. E vetmja gjë që është diskutu sot me Lëvzjen Vetëvendosje, është ndarja e Komisioneve. Në komisionet që i kemi pasë komisionet e përbashkëta jemi dakordu si me i nda këto komisione”, ka thënë Sejdiu.

I pyetur se a do të ketë kërkesë nga Kuvendi i Kosovës, që tani e tutje mjetet për kokë deputeti, të këtyre 12 deputetëve të shkojnë për ta, e jo për Lëvizjen Vetëvendosje, ai u shpreh se ende nuk është marrur një vendim në mes grupit parlamentar, dhe në momentin që vendosin për një gjë të tillë do e bëjnë publike.

“Kurdo që të kërkohen këto tema do të bëhen publike. Tani për tani nuk ka pasur ende konkrete”, tha Shefi i deputetëve të dorëhequr nga Vetëvendosje.

Dardan Sejdiu, foli edhe për seancën e së martës, kur pritet që të votohet demarkimi i kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ai tha se 12 deputetët e Kuvendit të Kosovës janë unik sa i përket kësaj ështje, dhe nuk do të votojnë pro kësaj marrëveshje.

“Sa i përket demarkacionit, të gjithë jemi unik. S’ka ndryshuar asgjë. Si kemi qenë para dy jave, si dje, ashtu edhe jemi sot. S’ka votë për këtë marrëveshje”, tha Sejdiu për Insajderi

Se a do të qëndrojnë në sallë gjatë ditës së martë, dhe a do synojnë pengimin e ratifikimit të kësaj marrëveshje, Sejdiu shtoi se për veprime ende nuk kanë marrur asnjë vendim.

“Nuk kemi diskutuar për këtë gjë, se a do të qëndrojmë në sallë, apo jo. Do të diskutojmë dhe të shohim hapat e mëtutjeshëm”, tha Sejdiu.

Gjatë ditës së djeshme, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Aida Dërguti, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Frashër Krasniqi, Sali Salihu, Besa Baftiu dhe Driton Cushi, përfundimisht u ndanë nga Lëvizja Vetëvendosje edhe si Grup Parlamentar.

SHPËRNDAJE