“Dardanet” përballen sonte me Estoninë, kërkojnë fitoren e dytë në kualifikimet për EURO

Ekipi kombëtar i vajzave të Kosovës do të tentojë ta sigurojë sonte fitoren e dytë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, në ndeshjen kundër Estonisë, që do të nisë në orën 18:15 në stadiumin “Tartu Tamme”.

Vajzat e Afërdita Fazlijës nuk e zhvilluan ndeshjen kundër Rusisë, në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për EURO 2020, për shkak se ndeshja u anulua nga federata ruse për shkaqe sigurie, raporton Gazeta Express.

Por, tani “Dardanet” e kanë një tjetër sfidë para vetes. Ato do të tentojnë ta vazhdojnë me fitore rrugëtimit drejt Kampionatin Evropian 2021.

Deri më tash, Kosova radhitet në pozitën e pestë në tabelën e Grupit A, ku marrin pjesë edhe Holanda, Rusia, Sllovenia, Turqia dhe Estonia. Kosovarët i kanë arritur tri pikë nga dy ndeshjet e zhvilluara, një fitore 2:0 kundër Turqisë në “Fadil Vokrri” dhe një humbje 5:0 kundër Sllovenisë si mysafire.

“Atmosfera në kampin e Dardaneve është shumë e mirë dhe të gjitha futbollistet janë të gatshme për lojë dhe e presin këtë duel me entuziazëm dhe dëshirë të madhe për të realizuar fitoren e dytë në këto kualifikime”, thuhet në deklaratën e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kosova e zhvilloi mbrëmë në “Tartu Tamme” seancën e fundit stërvitore, para kësaj ndeshjeje kundër Estonisë.

SHPËRNDAJE