Dënohen me 28 vjet e gjysmë burgim të akuzuarit për vrasjen dhe tentim vrasjen në Zveçan

Hape pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të mërkurën, i ka shqiptuar dënim unik prej 18 vjetësh burgim, të akuzuarit Petar Peshiq, për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, ngjarje kjo që kishte ndodhur më 11 qershor 2016, në Zveçan.

Kryetari i trupit gjykues, Burim Ademi, në shpalljen e aktgjykimit tha se trupi gjykues pas mbajtjes së disa seancave gjyqësore, të akuzuarin Petar Peshiq, e shpall fajtor  për veprën penale “vrasje e rëndë”, për të cilën i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 17 vjetësh.

Hape pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë

Po ashtu, i akuzuari Peshiq, është shpallur fajtor edhe për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, për të cilën është dënuar me një viti e gjashtë muaj burgim.

Më pas, për këto dy vepra penale i është shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 18 vjetësh, e në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 11 qershori i vitit 2016 e deri më 11 korrik të vitit 2018.

Përveç tij, në këtë rast janë shpallur fajtorë edhe dy të akuzuarit e tjerë, Gjorgje Spahiq, për veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, dhe Millosh Millovanoviq, për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Të akuzuarit Gjogje Spahiq, për veprat penale me të cilat ngarkohej, iu shqiptua dënimi unik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh e gjashtë muaj, ndërkaq që të akuzuarit Millovanoviq për armëmbajtje pa leje, iu shqiptua dënimi me gjobë në vlerë prej 2.000, të cilin sipas aktgjykimit, obligohet ta paguajë në kohëzgjatje prej 6 muajve, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, përderisa ky i fundit është liruar nën akuzën për kryerjen  e veprës penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Gjithashtu, në aktgjykimin e shpallur nga kryetari i trupit gjykues,Burim Ademi, thuhej se të akuzuarit Petar Peshiq dhe Gjorgje Spahiq, obligohen që në mënyre solidare, në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe për shpenzimet e përfaqësuesve të të dëmtuarit, të paguajnë shumën prej 12.955.00 euro.

Gjykatësi Ademi, në fund të shpalljes së aktgjykimit tha se gjykata ka pasur për bazë të gjitha pretendimet e të gjitha palëve dhe sipas tij, në raport me të gjitha provat që janë administruar, ka ardhur deri te marrja e këtij vendimi.

Ai në fund shtoi se palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit.

Ndryshe, në rastin konkret të pandehurit, Petar Peshiq, Gjorgje Spahiq dhe Millosh Millovanoviq, akuzoheshin për kryerjen e veprave penale “vrasje e rëndë”, “vrasje e rëndë në tentativë” , ”dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Sipas aktakuzës, më 11 qershor 2016, në Zveçan, me dashje, i akuzuari Spahiq ka tentuar që ta privojë nga jeta Gjorgje Angjelkoviqin, duke shtënë shtatë herë në të, ndërsa i akuzuari Peshiq, po akuzohet se me dashje ka privuar nga jeta Nikolla Angjelkoviq.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 3 korrik 2017, të akuzuarit Petar Peshiq, Gjorgje Spahiq dhe Millosh Millovanoviq, janë deklaruar të pafajshëm për kryerjen e veprave penale me të cilat i ka ngarkuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Paraprakisht, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, Petar Peshiq, ka pranuar se ka shtënë me armë në natën kritike më 11 qershor 2016, ndaj Nikolla Angjelkoviq, por ka mohuar se synim e ka pasur vrasjen e tij.

Edhe i akuzuari Gjorgje Spahiq, gjatë dhënies së mbrojtes së tij,  ka pranuar se më 11 qershor 2016, ka shtënë në armë, por ka mohuar se ka pasur cak që të qëllojë, tani të dëmtuarin Gjorgje Angjelkoviq.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Petar Peshiq akuzohej se më 11 qershor 2016, në Zveçan me dashje ka privuar nga jeta Nikolla Angjelkoviq, në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale me tashmë të ndjerin, i pandehuri ka nxjerrë nga brezi revolen dhe ka shtënë dy herë në drejtim të tij, me ç’rast njëra predhë e ka goditur në syrin e djathtë e tjetra në stomak. Pas plagëve të marra Nikolla Angjelkoviq, është dërguar në Serbi dhe më 16 qershor 2016, ka ndërruar jetë. Me këtë, sipas prokurorisë, ka kryer veprën “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Kurse, Gjorgje Spahiq, akuzohej se pas një përplasje verbale me Gjorgje Angjelkoviq, me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta Angjelkoviqin, duke shtënë shtatë herë në të, me ç’rast i dëmtuari ka marrë lëndime në anën e djathtë në gjoks, në bark dhe në këmbë, me ç’rast është rrezikuar jeta edhe e shumë personave të tjerë. Me këtë ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Ndërsa, Millosh Millovanoviq, akuzohej se nga 11 deri më 13 qershor ka mbajtur në pronësi dhe ka poseduar armën, e cila më pas është konfiskuar nga policia. Me këtë ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, nga neni 374 paragrafi 1 dhe ”dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”  nga neni 388 i KPRK-së.

Ndryshe, vepra penale “vrasje e rëndë”, dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Betimiperdrejtesi/Nora Kelmendi/

Hape pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë
  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE