Dënohet me 600 euro gjobë asamblisti i PSD-së në Prishtinë që pranoi se nuk e kishte deklaruar pasurinë

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, e ka dënuar me 600 euro gjobë, asamblistin e Partisë Socialdemokrate (PSD), në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, i akuzuar për mos deklarim të pasurisë.

Shpallja e këtij aktgjykimi është bërë nga gjykatësja Medie Bytyqi, e cila e ka njoftuar të akuzuarin Berisha se pagesa e dënimit me gjobë duhet të bëhet në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.E në rast të mos pagesës, ajo ka thënë se të akuzuarit dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet me burg, ku një ditë do t’i llogaritet me 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, i akuzuari Berisha është obliguar të paguajë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor.Gjykatësja Bytyqi ka bërë të ditur se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.Ndryshe, i akuzuari Berisha e ka pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar të mbajtur më 20 gusht 2019.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 8 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Adrian Berisha, për veprën penale “mos raportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare, nga neni 430 par. 1 të KPRK-së.Sipas aktakuzës i njëjti akuzohet në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, këshilltar i Asamblesë Komunale në Prishtinë, i akuzuari Berisha ka vepruar në kundërshtim me nenin8 par.1, të Ligjit 04/L-50, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, ku ka qenë i detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, përmes formularit për deklarimin e pasurisë, nga data 1 deri 31 mars të vitit 2019 për periudhën 1 janar deri 31 dhjetor 2018, mirëpo të njëjtën nuk e ka bërë në afatin e paraparë ligjor.

SHPËRNDAJE