Deputeti gjerman takohet me Haradinajn, sjell lajme të mira për Kosovën

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë një takimi me deputetin gjerman nga radhët e CDU-së, Volkmar Klein, kërkoi ndihmën e shtetit gjerman në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe në procesin e dialogut dhe procese të tjera të rëndësishme për vendin.

Duke kujtuar rolin e madh të Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës dhe përpjekjet e saj drejt pavarësisë së vendit, kryeministri Haradinaj, shprehu mirënjohje të thellë për përkushtimin e tyre ndër vite.

“Kosova është mirënjohëse për gjithë angazhimin dhe ndihmën e shtetit gjerman dhe jemi të përkushtuar që kjo marrëdhënie bilaterale të avancojë mes shtetit të Kosovës dhe Gjermanisë”, tha ai.

Haradinaj e ka informuar deputetin gjerman Volkmar Klein për të gjitha të arriturat e vendit, me theks të veçantë në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, për të cilën tha se po bëhet punë konsistente dhe përmbajtjesore për ta përmirësuar gjendjen në vend.

“Krahas sundimit të rendit dhe ligjit, fuqizimi ekonomik është shtyllë tjetër kryesore për të cilën po punojmë. Ne kemi tashmë ligjin për investime strategjike dhe investimet direkte gjermane janë të mirëseardhur dhe ne kemi krijuar kushte të përshtatshme për to”, tha ai.

Ndërsa, deputeti gjerman, Volkmar Klein, u zotua se shteti gjerman do të qëndrojë krah Kosovës, drejt rrugëtimit të saj euroatlantik.

Ndryshe, në takim u diskutua edhe për punën që po bën Kosova në rrugën e saj euroatlantike dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

SHPËRNDAJE