Detaje ekskluzive për vdekjen e të riut në Istog, pamje nga vendi dhe mjeti tragjik

Pasditja e 21 dhjetorit u shndërrua në tragjedi dhe tmerr për familjen Belegu nga Kovraga e Istogut. Filonid Belegu shkoi të premten në punë për të mos u kthyer më i gjallë në shtëpi.

25 vjeçari që punonte në firmën “Arbens Garden”, ishte nisur të shkoj në vendin e punës me mjetin importues që njihet ne emrin “domper”, e që shërben për bartjen e dheut.

Vendi ku u rrokullis Filonidi me domper

Por, për një moment ai humb kontrollin mbi mjetin dhe përfundon jashtë rrugës, duke mbetur i vdekur në vend.

Indeksonline ishte sot në vendin e aksidentit, ku Filonidi humbi jetën, si dhe në ceremoninë e varrimit.

Siç shihet në pamjet e mëposhtme, i ndjeri u rrokullis me mjetin punues 150 metra larg shtëpisë së pronarit të firmës ku ai punonte.

Sipas pronarit të kompanisë, Filonidi ishte diku vozitur shpejt dhe për një moment e ka humbur drejtimin, për të përfunduar jashtë rrugës.

“Na jemi kanë në kamionetë punuese, jemi kanë afër asfaltit, ai ka hi ndër rrugë edhe u rrutullu. U kanë tu u shku në vend të punës, me mjetin e punës. Vetura e ka hup drejtimin, viktima ka vozit shpejt dhe e ka hup drejtimin edhe është rrotullu mjeti. Ka ndodh në rrugën ‘Arben Januzaj’ Istog”, ka thënë pronari për Indeksonline.

Shtëpia e bardhë e pronarit 150 m larg vendit të aksidentit

Në një qoshe të oborrit të firmës sot gjendet i dëmtuar, mjeti fatkeq që i mori jetën 25 vjeçarit.

Siç shihet në fotot e bëra nga Indeksonline, timoni është tërësisht i shtrembëruar si pasojë e rrokullisjes, pasi që mjeti kur kishte dal jashtë rrugës ishte kthyer mbrapshtë, duke e zënë të ndjerin përfundi.

Mjeti me të cilin u rrokullis

Detaje për vdekjen e Filonidit, ka dhënë për mediumin edhe Driton Rugova nga Policia e Kosovës. Ai ka thënë se ende nuk mund të dihet a ka qenë mjeti duke qarkulluar shpejt apo jo.

“Viktima ka qenë tu e vozit mjetin e punës dhe ka dal nga rruga, si pasojë e aksidentit ekipi mjekësor e ka konstatu vdekjen e tij. Është herët me dit a ka qenë shpejt, megjithatë ai vet ka dal nga rruga si pasojë e moskujdesit. Ka qenë mjet i punës, kamionë diçka duhet me kanë”, ka thënë shkurt Rugova.

Ekipi i Indeksonline sot ka qëndruar në Kovragë të Istogut për të përcjellë nga afër ceremoninë e varrimit të të ndjerit. Familjarët dhe të afërmit e tjerë e kanë përshkruar atë si djalë të urtë, bujar dhe punëtor.

Varrimi i të ndjerit

Kujtojmë se gjatë vitit që po lëmë pas, numri i personave që kanë vdekur në vendin e punës ka qenë i lartë dhe shqetësues, derisa Inspektorati i Punës ka bërë thirrje që të kushtohet më shumë kujdes. /Indeksonline/