“Dezertor”, “Joserioz”, Rudari e Bulliqi ndezin garën për Llapin

Nexhmi Rudari i LDK-së thotë se do ta fitojë Podujevën pa balotazh në garën për kryetar komune. Derisa, Shpejtim Bulliqi i VV-së nuk i sheh si seriozë kundërkandidatët në këtë sfidë elektorale dhe shpreson se ai dhe Vetëvendosja do të fitojnë bindshëm më 29 nëntor.

Komuna e Podujevës është pa kryetar qëkur Agim Veliu kishte dhënë dorëheqje pas emërimit ministër i Brendshëm në Qeverinë e ish-kryeministrit Kurti.

Nexhmi Rudari dhe Shpejtim Bulliqi të cilët po konsiderohen favoritë për të marrë drejtimin e Komunës së Podujevës thonë se do të triumfojnë në zgjedhjet për kryetar ndaj njëri-tjetrit.

Shpejtim Bulliqi që aktualisht është deputet i Vetëvendosjes do të provojë t’ia marrë LDK-së bastionin 20-vjeçar.

Bulliqi në një përgjigje për Gazetën Express u shpreh i bindur se ai dhe partia e Albin Kurtit do ta fitojnë bindshëm garën në komunën që tradicionalisht ka votuar për LDK-në.

“Ne jemi të gatshëm dhe jemi të bindur që do të fitojmë bindshëm në këtë garë, duke pasur parasysh pezmin qytetar ndaj qeverisjes lokale në Komunën e Podujevës dhe vullnetin e qytetarëve për ta sjellë Lëvizjen në qeverisje në secilin nivel”, tha Bulliqi.

Ndërkaq, kundërkandidati i Bulliqit i cili aktualisht është ushtrues detyre i kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari i tha Gazetës Express se zgjedhjet për kryetar komune LDK-ja do t’i fitojë pa balotazh.

“Ne besojmë se LDK-ja dhe unë si kandidat do t’i fitojmë zgjedhjet pa balotazh duke u nisur nga gjithë ato punë të mira që i kemi bërë dhe po i bëjmë për qytetarët e Podujevës”, ka thënë Rudari.

Por deputeti i Vetëvendosjes që po synon ta marrë kreun e komunës nuk po i konsideron seriozë kundërkandidatët e tij.

“Kandidatët me të cilët jam në garë nuk i shoh shumë seriozë dhe që mund të më sfidojnë mua në këtë garë”, tha Bulliqi.

Kurse Nexhmi Rudari tha se Albin Kurti ka synuar të dëmtojë votën e LDK-së në Llap me nominimin e Bulliqit, por, sipas tij, do të dështojë.

“Unë mendoj se ky ka qenë edhe synimi i z. Kurti qëkur e ka nominuar z. Bulliqi për kandidat. Sigurisht që z. Bulliqi do të tentojë të peshkojë vota në trupën elektorale të LDK-së por sigurisht që do të dështojë sepse LDK-ja gjithmonë ua ka treguar vendin dezertorëve”, u shpreh Rudari.

Ndërkaq, Bulliqi po konsideron se Podujeva është keqqeverisur dhe, sipas tij, tani ka ardhur koha të ndalet degradimi 20-vjeçar i komunës.

“Qytetarët e Podujevës janë ngopur nga kjo keqqeverisje në komunën tonë, ku është karakterizuar me keqpërdorime të mëdha buxhetore, me kurdisje të tenderëve për familjarë, më punësime të paligjshme e pakonkurs për familjarët e tyre e militantë partiakë. Andaj ka ardhë koha që këtë degradim 20 vjeçar”, tha deputeti i Kuvendit nga Vetëvendosje.

Dy kandidatët premtojnë që do t’u përmbahen masave anti-Covid lidhur me tubimet, për të cilat ka folur edhe

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj në një mbledhje që ka mbajtur të shtunën me Bordin Këshilldhënës, ka deklaruar se tubimet do të jenë të ndaluara gjatë fushatës elektorale në Podujevë.

Rudari i LDK’së u shpreh se nëse ka rritje të numrit të të infektuarve duhet të mos ketë tubime.

“Sigurisht varet nga situata me pandemi si do të zhvillohet. Nëse kemi rritje të madhe të numrit duhet ndërmarrë masa shtrënguese dhe mos të ketë tubime”, tha Rudari.

Kurse Shpejtim Bulliqi tha se fushatën do ta bëjnë në grupe të vogla.

“Kjo situatë me pandeminë na dëmton për shkak se nuk lejohen tubimet dhe na e pamundëson shpalosjen e alternativës tonë tek secili qytetar, por ne jemi të vendosur të bëjmë një fushatë të mirë me angazhim të madh të strukturave tona për të paraqitur programin tonë politik për komunën në grupe të vogla. Sigurisht ne do të bëjmë këtë duke i respektuar masat e vendosura nga institucionet shëndetësore duke e ruajtuar shëndetin e secilit qytetar”, tha ai.

Presidenti Hashim Thaçi fillimisht kishte shpallur zgjedhjet për kryetar të Podujevës me 15 mars por të njëjtat ishin anuluar për shkak të përkeqësimit të situatës me pandeminë.

I pari i vendit më 20 tetor ka vendosur që zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut të mbahen më 29 nëntor, duke udhëzuar KQZ’në që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet për mbajtjen e tyre.