Dhuratat e shtrenjta të Presidencës, vetëm për fundvit harxhon gati 5 mijë euro

Gjatë muajit dhjetor bëhen më së shumti dhurata për festat e fundvitit. E ky muaj u shkon për shtati më së shumti institucioneve shtetërore. Këtyre ditëve institucionet e ndryshme të shtetit po bëhen dorëshlira, duke mos e pasur problem harxhimin e parave nga xhepi i shtetit edhe për gjëra luksi.

Këto harxhime të shtetit po bëhen në emër të dhuratave për festat e fundvitit. E dhurata për Vitin e Ri ka planifikuar të shpërndajë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Zyra e Presidentit të Republikë së Kosovës (ZPRK) për dhurata protokollare për nevoja të kësaj zyre, ka dhënë hiç më pak se 4 mijë e 389 euro e 81 cent.

Për çka ka tashmë, Zyra e Presidentit ka zgjedhur edhe kompaninë e cila do ta bëjë furnizim me dhurata, shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.

Kompania që mori këtë tender është D.P.T “De Arte”.

Sipas dosjes së tenderit “Furnizim me dhurata protokollare për nevojat e ZPRK-ës”’, do të blihen harta filigran me dimension 320mmx320mmx65mm, hyjnesha filigran 370mmx280mmx65mm, harta Oscar me dimension 337mmx42mmx65mm, dekor mbajtës druri për stilolaps me orë dhe kristal.

Po ashtu, në këtë tender kërkohen edhe Shën Tereza në panel druri, guri natyral i Trepçës me kristale, helmeta ilire me figurë, përkrenarja e Skënderbeut si figurë.

Në këtë tender kërkohet që të bëhet në kornizë edhe deklarata e Pavarësisë së Kosovës.

Sipas përshkrimit të tenderit, harta filigran me dimension 320mmx320mmx65mm, është harta e Kosovës nga argjendi me punim filigran dhe në mes e mbushur me gurë të zi të Trepçës dhe e vendosur në kornizë.

Brendësia e kornizës duhet të jetë plish i zi. Po ashtu për hartën korniza e drurit duhet të jetë me ngjyrë silver dhe me ngjyrë të zezë. E gjithë kjo më pas duhet të vendoset në kuti plishi me ngjyrë të kaltër të mbyllur.

Kurse tri hartat Oscar që duhet me dimension 337mmx270mmx154mm duhet të jenë të punuar me gurë të Trepçës e vendosur në panel mdf, e distancuar dhe me bazë të distancuar.

Sipas përshkrimit, harta është e veshur me gurë në të gjitha anët edhe nga prapa, ato më pas duhet të vendosen në kuti plishi me ngjyrë të hirit, kurse pjesa e brendshme e veshur gjithashtu me plish ngjyrë të kuqe.

Edhe për pendën është detajizuar se si duhet të jetë. Penda me dimension 270mmx42mm65mm duhet të jetë nga argjendi me punim filigran e vendosur në kornizë.

Ndërsa, brendësia e kornizës të jetë plish i zi, korniza e drurit me ngjyrë silver dhe ngjyrë e zezë. E në kornizë duhet të vendoset mbishkrimi nga metali silver me logo të Presidencës. Edhe kjo pendë duhet të vendoset në kuti plishi me ngjyrë të kaltër të mbyllur./FaktePlus

Më poshtë sjellim dosjen se çfarë tjetër do të bëjë dhuratë presidenca.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE