Djali perkrah VV-në për Murat Jasharin kryeministër, babai e rivalizon Bekim Jasharin për kryetar komune

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka thënë se është pro idesë së formimit të një qeverie me karakter të unitetit kombëtar e cila do të drejtohej nga Murat Jashari.

Përderisa Sami Lushtaku po e lufton politikisht Bekim Jasharin në Skenderaj, djali i tij Mërgimi, ka dalë në mbështetje të idesë së Lëvizjes Vetëvendosje që Murat Jashari të zgjedhet kryeministër konsensual.

Pra, kjo mbështetje nga Mërgim Lushtaku për një pjesëtar të familjes Jashari po ndodh vetëm pak ditë pasi që babai i tij Samiu, publikisht shprehu ambicien për t’u bërë kryetar i Skenderajt vitin e ardhshëm, pra për ta rivalizuar Bekim Jasharin në zgjedhjet lokale.

Kujtojmë se në vitin 2011 kur disa zëra në PDK kundërshtonin zgjedhjen e Behgjet Pacollit për president, ishte Jakup Krasniqi që kishte propozuar në takimet e brendshme partiake zgjedhjen e Murat Jasharit president, por Sami Lushtaku asokohe edhe pse nuk ishte deputet kishte hyrë në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe raportohej kishte bërë presion tek deputetët që president të zgjedhjet Behgjet Pacolli.

Ky është postimi i plotë i tij:

Në lidhje me idenë e formimit të një qeverie me karakter të unitetit kombëtar ku do të drejtohej nga kryeministër Prof. Dr. Murat Jashari. Personalisht, si deputet i Kuvendit të Kosovës, e mbështes fuqishëm një ide të tillë.

Mendoj se kjo është rruga më e mirë që të krijojmë unitet gjithëkombëtar për t’i tejkaluar sfidat e mëdha siç janë: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja përfundimtare, tejkalimi i gjendjes socio-politike dhe ekonomike në vend si dhe fuqizimi dhe finalizimi i shtetit të Kosovës.

Ky është qëndrim personal i imi dhe nuk paraqet domosdoshmërisht edhe qendrimin e subjektit politik të cilin e përfaqësoj.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE