Drake po e luan rolin e trajnerit të Torontos

Në Konferencën e Lindjes në NBA vazhdon dueli mes Toronto Raptors dhe Milwaukee Bucks për një vend në finale dhe për momentin sfida është në ekuilibër të plotë, 2-2, me secilën palë që ka fituar ndeshjet shtëpiake.

Në rrugëtimin fantastik të Toronto Raptors këtë sezon shpesh ka rënë në sy prania e rapperit Drake, i cili kohët e fundit po përfundon në qendër të vëmendjes për sjelljen e tij, aq sa shpesh është dukur sikur është ai trajneri dhe jo Nick Nurse shkruan Telesport.

Këngëtari, i cili në rrjetet sociale akuzohet me humor se sjell ters, për shkak se shpesh fotografohet me lojtarë që më pas humbasin ndeshje të rëndësishme, është gjithnjë i pranishëm në ndeshjet e Torontos, duke bërë tifozllëk, duke tërhequr vëmendjen dhe duke festuar me lojtarët, përveçse ndonjëherë përqafon edhe trajnerin Nurse.

Në finalen e Konferencës Drake ka qenë gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes, aq sa ka irrituar gjithë tifozët e Milwaukee, mbi të gjitha për shkak se në ndeshjen e fundit qeshi dhe vuri në lojë yllin e Bucks Giannis Antetokounmpo, pasi ky gaboi 3 gjuajtje të lira.

Georgios Dimitropoulos, një ndër drejtuesit e agjencisë që përfaqëson Antetokounmpo, postoi një mesazh të hidhur në Twitter:

“Imagjinoi një koncert muzikor dhe një sportist që shkon te zona VIP, shumë pranë grupit që këndon në skenë, ndërsa më pas ngjitet në skenë dhe bën gjithçka që të bjerë në sy, duke e ditur se kamerat janë mbi të, ndonjëherë duke i bërë masazh këngëtarit. Forcat e sigurisë dhe këngëtari e lejojnë. Nuk kam parë kurrë një mungesë të tillë respekti më parë…”.

E përditshmja Milwaukee Journal Sentinel nuk vret mendjen për diplomaci dhe i bie drejtpërdrejt:

“Gjithë Milwaukee e urren Drake, i cili nuk është pronari i Raptors, por gjithsesi lejohet të bëjë gjithçka dëshiron, edhe të futet në parket”.

Tifozë të Bucks kanë bërë kërkesë drejtuar radios më të madhe lokale që të mos transmetojë më asnjë këngë të Drake, ndërsa njëri shkruan në Twitter:

“Nuk mendoja se do e thosha ndonjëherë, por uroj që Drake të kthehet të bëjë më shumë muzikë të tmerrshme, nga ajo që të shkatërron veshët”.

SHPËRNDAJE