Drejtori i policisë flet për situatën në veri të Mitrovicës

Ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Greg Delawie së bashku me kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumëzi dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni kanë vizituar sot dhomën operative në KQZ.

Me këtë rast kryetarja e KQZ-së, Valdetet Daka , tha se deri tash nuk është shënuar asnjë incident dhe se procesi po shkon mirë.

“Së bashku e bën vizitë në dhomën operative të KQZ-së, nga ku morën të gjitha informatat lidhur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Sikurse që e patë në dhomën operative, tani për tani nuk ka ndonjë informatë se diçka është duke shkuar keq. Zgjedhjet janë duke shkuar me qetësi. Ka aty këtu ndoshta ndonjë incidente të vogla, por megjithatë mos harroni janë 2 milionë votues dhe janë shumë njerëz të involvuar në këto zgjedhje, prandaj edhe me pas ndonjë gabim human nuk është asgjë e çuditshme”, tha Daka.

Ndërsa, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se e kanë njoftuar ambasadorin amerikan se deri tash nuk ka pasur incidente, përveç një rasti ku është ndaluar një person dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar procedura.

“Të gjithë u pajtuam se është duke shkuar procesi i zgjedhjeve mirë. Është një ditë e qetë dhe nuk kemi pasur ndonjë parregullsi gjatë procesit të zgjedhjeve. Dhe i treguam ambasadorit se do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet për të mbrojtur një proces të drejtë të zgjedhje dhe të drejtën e votës. Jemi koordinuar edhe me KQZ dhe me policinë që të i ndërmarrim të gjitha veprimet të duhura të shpejta për çdo rast, i cili përfundon me ndonjë dyshim të bazuar se është kryer ndonjë vepër penale. Deri më tani nuk kemi pasur raste të shumta. Kemi pasur vetëm një rast i cili një person është ndaluar. Procedura ndaj tij do të vazhdon ndërsa raste të tjera nuk kemi pasur”, tha Lumezi.

Ndërsa, shefi i policisë, Shpend Maxhuni, ka rikonfirmuar se procesi po shkon mirë dhe pa incidente. Ai po ashtu ka njoftuar se policia është duke vepruar me plan dhe ka të angazhuar numër të madh të zyrtarëve policorë.

“Edhe unë mund të ri konfirmoj, që nga aspekti i sigurisë në procesin zgjedhor, nuk ka ndonjë incidentet të natyrës serioze. Policia e Kosovës ka plan me masa të gjëra për këtë ditë. Realisht, ne kemi filluar angazhimet tona në fazën parazgjedhore disa ditë më parë. Por, sot ne kemi të angazhuar një numër relativisht të madh të zyrtarëve policorë në kapacitete të ndryshme, për të ofruar siguri në aspekte të ndryshme në të gjitha qendrat e votimit ku ky proces do të mbahet dhe do të përcjellim situatën për së afërmi në mënyrë që të sigurohemi se nëse eventualisht ka ndonjë incidentet të natyrës që duhet angazhuar apo kyçur Policia e Kosovës ajo do të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me kohë”, tha Maxhuni.

Ai po ashtu ka thënë se situata në pjesën veriore është nën kontroll dhe se Policia e Kosovës është institucioni përgjegjës për ofrimin e sigurisë për këtë proces dhe do ta monitorojë situatën sikurse në çdo pjesë tjetër të Kosovës.

SHPËRNDAJE