E ÇUDITSHME: PRESIDENTI THAÇI NUK E DËNON DHUNËN NDAJ DY SHQIPTAREVE NË NOVI SAD

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka reaguar fare ndaj rrahjes brutale të dy të rinjve shqiptarë nga Kosova, të cilët u sulmuan natën e së dielës në qytetin e Novi Sadit, shkruan Insajderi.

Përkundër tij, kryeministri Haradinaj, kryetar i Kuvendit Veseli, dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku e kanë dënuar sulmin ndaj të rinjve shqiptarë.

Haradinaj ka thënë se sulmi mbi dy të rinjtë shqiptarë dëshmon se lëvizja e lirë në shtetin nuk është e garantuar.

“I pashembullt akti i rrahjes brutale të dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad. Sulmi mbi dy udhëtarë shqiptarë dëshmon se lëvizja e lirë në shtetin serb nuk është e garantuar dhe çdo akt dhune është larg vlerave europiane. Derisa Çlirim Maloku po lufton për jetë, nga lëndimet e marra, një shtet që negocion për anëtarësim në BE duhet të ndërmerr veprime të shpejta për ta zbardhur rastin. Dy të rinjve shqiptarë u uroj shërim sa më të shpejt, ndërsa sulmuesit të sillen para drejtësisë dhe të marrin ndëshkimin meritor”, ka shkruar Haradinaj.

Në mbrojtje të dy të rinjve u ka dalë edhe kryeparlamentari i Kuvendit, Kadri Veseli i cili ka kërkuar nga autoritet në Beograd që të gjejnë sa më parë ata që kanë kryer këtë akt mizor.

“Me shqetësim mora lajmin për sulmin e kryer ndaj dy shqiptarëve në Novi Sad. Pa dashur të paragjykoj për rrethanat dhe shkaqet e sulmit, kërkoj nga autoritetet në Beograd që të gjejnë sa më parë ata që kryen këtë akt dhe ti vendosin para drejtësisë. Serbia duhet të dëshmojë se është e përkushtuar në mbrojtje të njerëzve, pa dallim etnie. Po ashtu, duhet të heq dorë nga gjuha e urrejtjes e cila ushqen dhunën. Të lënduarve ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Veseli.

Ndërsa Vlora Çitaku ka shkruar në llogarinë e saj në Twitter se Maloku është sulmuar për shkak se ka folur shqip në qytetin serb.

“Emri i tij është Çlirim Maloku. Ai është nga Kosova. Emri i tij do të thotë Çlirim. Ai është lindur më ’99, vitin kur Kosova është çliruar nga okupimi serb. Javën e kaluar ai është rrahur në Serbi, sepse ka folur gjuhën e tij amtare. Sot ai po lufton për jetën e tij. Merreni me mend”, thuhet në shkrimin e saj.