E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë tregon rrëfimin e saj

Ajo kërkoi nga shteti që ta ndihmoj pasi gjendja e saj psikike dhe fizike nuk është e mirë.
“Mem ndihmu diçka, djali nuk punon askund dhe ka fëmijë kallabllak. Po e thërrasin me punu e s’po shkon se duhet mem kqyr. Jemi fukara s’po kemi, jam fukara…Djali po më shikon e po më rrinë gati, faleminderit prej tij. Djali ka qenë tetë vjet, çika shtatë vjet…Burri më ka vdek që tetë muaj prej stresi, e më ka thënë ‘shuj se s’është kjo kurrgjo se krejtve ju ka ndodh kjo’. Ai më ka thonë që kurrë s’kam me ma përmend këtë punë. Nuk kam asgjë ndihmë për këtë punë. Zotit dhe juve ju kam rënë në dorë që kam mbet që gjashtë muaj sakatë nga këmba prej sheqeri…As filmat s’muj i shoh se bëhem keq”, tregoi rrëfimin e saj kjo nënë e dy fëmijëve.

Ndryshe, në muajin nëntor të vitit të kaluar, Qeveria  ka marrë vendim që pagesa mujore për Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë luftës të jetë 230 euro.

Nga data 5 shkurt 2018 ka filluar aplikimi për njohjen dhe verifikim e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe i gjithë ky proces pritet të zgjatë pesë vite.

Megjithëse ende nuk kanë shifra të sakta të viktimave të dhunimit gjatë luftës, mirëpo që nga paslufta është përmendur shifra mbi 13 mijë personash të dhunuar.

Ndryshe, sot kur edhe shënohet Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikte në Prishtinë bëhet lansimi i kampanjës “Bëhu zëri im”.

Lansimi i kampanjës “Bëhu zëri im”, nis me marshin qytetar nga Sheshi “Skënderbeu” dhe vazhdon deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”.

Kjo kampanjë është përkrahje për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.