“E vrau burri” – Rrëfimi i vëllait që dyshon se trupi i motrës u fsheh rreth Ibrit

“Kemi pasur shpresë se është e zhdukur, por ajo nuk është e zhdukur, është e vrarë prej burrit të vet”. Kështu e fillon rrëfimin Rexhep Zeka, i cili qe një vjet e shtatë muaj kërkon të dijë çka ndodhi me fatin e motrës së tij, Mirjeta Zeka Shabanit.

Po bëhen gati dy vjet prej kur nuk dihet asgjë për fatin e Mirjeta Zeka Shabanit nga Mitrovica, e cila ishte e martuar në fshatin Sfaraqak të Vushtrrisë.

Vëllezërit e saj hedhin dyshime se motra e tyre është vrarë dhe trupi i saj është zhdukur. Të dyshuar kryesor kanë bashkëshortin e saj, N.Sh.

Më 31 mars të vitit 2019 ajo ishte nisur me bashkëshortin për të shkuar në Gjermani, ku edhe po jetonin.

Vëllai i saj, Rexhep Zeka, ka thënë për Express se pas më shumë se dy muajve, bashkëshorti i motrës i ka lajmëruar për zhdukjen e saj.

“Motra është zhdukur më 31 mars, më 1 prill ka pas me dalë në punë në Gjermani. Ai na ka lajmëruar diku pas dy muajve e gjysmë. E kemi lajmëruar policinë, kanë hetuar një kohë kanë i marrë intervista. Ky krejt çka ka folur ka rrejt, policia ka dalë në përfundim se ky e ka vra dhe e ka fshehë kufomën”, ka deklaruar Zeka.

Zeka thotë se prokurori i rastit, Njazi Rexha, nuk ka punuar mjaftueshëm në zbardhjen e rastit të motrës së tij.

“Në momentin kur rasti ka kaluar në Prokurori, prokurori Njazi Rexha ia ka kthyer dokumentet dhe e ka lënë të lirë, pa asnjë ditë arrest. Nuk na ka lejuar neve për 6-7muaj as publike me e bë, thoshte jo se na i prishni hetimet. Dikur vendosëm vetë, e publikuam. E mori një hov, por prapë e ndërpreu”, thotë Zeka.

Zeka ka treguar se është hapur rast edhe në Gjermani.

“Burri i motrës është në Gjermani i lirë. Vëllau që e kemi në Francë e ka hapur rastin në Gjermani, i kanë thënë kemi kërkua ta bëjmë ekzaminimin e shtëpisë, por prokurori nuk po na lejon. Prokurori na ka mbështetur për muri, s’po dimë cka me bë. Po i themi me e sjellë në Kosovë, me e arrestua edhe me tregu ku është”, ka deklaruar Zeka.

Zeka ka thënë se kanë pranuar një informacion se trupi i motrës mund të jetë në afërsi të lumit “Ibër”, prandaj bashkë me FSK’në kanë filluar kërkimet, por pa sukses.

“Na kanë dhënë një informacion se është afër Ibrit, ka dalë FSK’ja, por nuk kanë gjetur asgjë. E kemi edhe në lokacion tjetër, atë e di policia, po presim nga ta dhe FSK me kërkua”, ka thënë ai.

Ndërkohë ai thotë se asnjëherë nuk kanë mundur të dinë saktë për raportet e motrës me bashkëshortin e saj.

Zeka deklaron se bashkëshorti nuk e kishte lejuar asnjëherë Mirjetën të qëndrojë e vetme te vëllezërit.

“Raportet ne nuk kemi mundur t’i dallojmë, sepse vetëm me motrën s’kemi pasur shansë të rrimë, sepse nuk e ka lejua asnjëherë, sa herë kanë ardhur kanë qenë bashkë, nuk e ka lënë vetëm asnjëherë. Ne ia shifshim qehrën motrës, vëllai i madh e ka pyet një herë ku është problemi, por ka thënë mos më nguc, mos ma prish jetën”, ka thënë Zeka.

Ai thotë se bashkëshorti e kishte rrahur Mirjetën, pasi shpesh herë i kishin parë shenja në trup.

“Ne e kemi ditur që nuk është mirë, por ai e ka kërcënu, jam i sigurt. Jam i sigurt që e ka rrehë, e kam taku me shenja, e kam pyet çka ka, por gjejke arsye, thojke është rrëzu në shkallë”, ka deklaruar Zeka.

Prokurori Njazi Rexha ka thënë për Express se rasti është duke u hetuar.

“Ky rast është në hetim, hetimet vazhdojnë… Po, ne në kërkim jemi prej momentit që është hapur rasti”, ka deklaruar Rexha.

I pyetur për lokacionin ku po kërkohet trupi i Mirjetës, Rexha tha se nuk ka informata dhe kjo nuk mund të bëhet pa u informuar ai.

“Unë nuk e di çka kanë deklaruar familjarët, por nuk mund të caktohet lokacioni pa pasur unë informacion. Është pjesë e hetimit, vazhdon procedura, nuk mund të them asgjë më shumë”, ka thënë Rexha.