Ekskluzive: Haradinaj, Limaj, Ahmeti dhe Pacolli i ‘përdhosin’ simbolet e shtetit të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Mirsolav Lajçak, ka qëndruar sot në Kosovë, ku ka takuar disa nga krerët më të lartë të institucioneve të vendit.

Ai në këto takime, ka marrë pjesë si përfaqësues i OSBE-së, teksa i ka ‘përulur’ disa nga krerët më të lartë të shtetit dhe simbolet e vendit.

Kryeministri Ramush Haradinaj, zv.kryeministri Behgjet Pacolli, bashkëryesuesi i dialogut, Fatmir Limaj dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, kanë pranuar të gjitha kushtet e vënë nga Lajçak për takime me ta.

Burime të Gazeta Blic, bëjnë me dije se Lajçak ka kërkuar që takimet me ta mos të bëhet në zyre institucionale, e aq më pak në to të ketë simbole të shtetit të Kosovës.

Një dëshmitar në njërin nga këto takime, i ka thënë Gazetës Blic, se në asnjërin takim nuk ka pasur simbole të shtetit të Kosovës, madje kryeministri Haradinaj, është takuar me ministrin Lajçak në njërin nga restaurantet e Prishtinës.

“Të gjitha kushtet e vëna nga ministri sllovak janë plotësuar nga ana e liderëve kosovarë. Edhe kushti që mos të ketë simbole të shtetit të Kosovës, e deri te ajo që takimet të jenë jashtë objekteve institucionale. Haradinaj e ka takuar në restaurant”, i ka thënë ky burim Gazetës Blic.

Përveç Haradinajt, gjatë ditës së sotme, takime kanë pasur edhe dy kryesuesit e dialogut Kosovë-Serbi, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Në komunikatën e lëshuar për media, të dy këta, kanë publikuar një fotografi, të formatit të ngushtë, ku nuk shihet ambienti ku është mbajtur ai takim, e aq më pak nuk shihet asnjë simbol i shtetit të Kosovës.

Po ashtu, Lajçakun e ka takuar edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, njëherësh zv.kryeministër, Behgjet Pacolli.

Pacolli takimin me homologun e tij nga Sllovakia, e ka takuar në ambientet e shtëpisë së tij luksoze në Hajvali.

Ministri i Punëve të Jashtme, ka shkruar se me homologun e tij sllovak, ka biseduar për “çështjet me rëndësi jo vetëm në lidhje me vendet tona, por të gjithë rajonin”.

“Pas një programi shumë të zënë dhe të suksesshëm në Afrikë, u ktheva në Kosovë për të mirëpritur miqtë dhe partnerët tanë nga Republika Sllovake. Në rezidencën time kisha nderin të pres Miroslav Lajçák, Ministrin e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Kryesuesin e rradhës të OSBE-së dhe ekipin e tij. Ne diskutuam për çështjet me rëndësi jo vetëm në lidhje me vendet tona, por të gjithë rajonin. OSBE është një partner i rëndësishëm i Kosovës dhe misioni i tyre në Kosovë gjatë dhe pas luftës ka luajtur një rol historik për Kosovën”, ka shkruar Pacolli.

FOTO nga takimi i zv.kryeministrit Pacolli me Ministrin e  Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Mirsolav Lajçak

Kurse, në komunikatën e lëshuar nga zv.kryeministri Fatmir Limaj, thuhet se në takim është diskutuar për dialogun e Brukselit, dhe se kanë ardhur në përfundim se duhet gjetur një rrugë për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë.

”Bashkë me Shpend Ahmetin në cilësinë e Kryesuesve të Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë, patëm një drekë pune me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, njëherësh edhe kryesues i OSBE-së, Miroslav Lajçak, me të cilin biseduam për zhvillimet aktuale në vendin tonë si dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga NISMA.

“Biseduam edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe bashkërisht konstatuam se duhet gjetur rrugë sa më parë, për vazhdimin e dialogut me Serbisë”, thuhet tutje në njoftim.

Në njoftim thuhet se Kosova është e gatshme për t’u ulur në bisedimet që do të sillnin njohjen e ndërsjellë.

“Kosova është e gatshme të ulet në bisedime për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse obliguese për njohje reciproke”

Në fund Limaj thotë se i kanë kërkuar Lajçakut njohjen nga Sllovakia.

“Theksova po ashtu rëndësinë që ka për Kosovën dhe rajonin njohja sa më shpejt e Kosovës nga vendet anëtare të BE-së, e këtë rast e Sllovakisë”, përfundon njoftimi.
Sllovakia është njëri nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

FOTO nga takimi mes Limajt dhe Ahmetit me ministrin e Jashtëm sllovak

Kurse, Lajçak, gjatë ditës së sotme, ka qëndruar në Kosovë, në rolin e kryesuesit të OSBE-së.

Ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, ditë më parë i është përfolur emri si zëvendësimi i mundshëm i Federica Mogherinit.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE