EKSKLUZIVE: Njeriu i Putinit kapet duke filmuar në pjesën ushtarake të Aeroportit të Prishtinës (VIDEO)

Andrey Kondrashov, një ndër njerëzit kryesor të propagandës së presidentit rus, Vladimir Putin po qëndron në Kosovë.

Kondrashov është zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i rrjetit televiziv shtetëror rus VGTRK.

Sipas burimeve të redaksisë, nuk dihet saktë arsyeja pse ai gjendet në Kosovë, por dyshimet janë se “ai nën petkun e gazetarit ka qëllime që të mbledh informacion të ndjeshëm, i cili mund të ta dëmtojë sigurinë e Republikës së Kosovës”.

VIDEO

Ballkani.info ka siguruar video ekskluzive ku Kondrashov bashkë me një grup personash janë ndaluar nga Policia e Kosovës duke bërë inçizime të paautorizuara në Aeroportin e vjetër të Prishtinës, ku është e vendosur një pjesë e KFOR-it dhe njësi tjera ushtarako policore.

VIDEO

Burimet e Ballkani.info thonë se ata nuk kanë pasur fare akreditim për të realizuar dokumentarin e as për të marrë pamje në zona të ndjeshme, siç është kjo pjesë e Aeroportit.

Të vetmet autoritete që lëshojnë leje apo akreditim për gazetarët e huaj është Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Punëve të Jashtme.

Deri vonë Kondrashov ka udhëhequr programin Vest Nedeli (Lajmet e Javës), ndërsa në janar të vitit 2018, ai është bërë zëdhënës i selisë së fushatës elektorale të presidentit rus, Vladimir Putin.

Në foto: Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Andrey Kondrasho.

Ai është autor i disa filmave dokumentar, përfshirë edhe filmin “Krimea, rruga për atdhe”, e cila përqendrohet në ngjarjet e vitit 2014, gjatë aneksimit të Krimesë. Ky film paraqet një intervistë të gjatë me presidentin rus, Putin.

Kondrashov ishte edhe në mesin e gazetarëve të dekoruar nga presidenti rus, Putin për mbulimin “objektiv” të ngjarjeve në Krime.Ai është gjithashtu autor i filmit dokumentar me titull “Putin”, i cili përbehet me një seri intervistash me këtë të fundit.

Ky film gjithashtu përmban intervista me kryeministrin rus, Dimitry Medvedev, sekretarin e këshillit të sigurisë Nikolai Patrushev, ish-kancelarin gjerman dhe ish-kryeministrin italian. /Ballkani.info/

SHPËRNDAJE