Ekskluzive: Përçarje të thella brenda koalicionit, Albin Kurti merr vendimin për taksë pa pëlqimin e LDK-së

Kryeministri Albin Kurti, ka dalur para pak çastesh në konferencë për media, në të cilin ka bërë të ditur vendimin e qeverisë që udhëheq për heqjen e pjesshme të tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina.

Kurti ka thënë se për vendimin e marrë është dakorduar paraprakisht me partnerin e Lëvizjes Vetëvendosje në qeverisjen e vendit, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se e ka njoftuar zëvendëskryeministrin e parë të vendit, Avdullah Hoti, për shpalljen e vendimit.

“Në vija të trasha e kam njoftuar se sot do të dal me qëndrimin sa i përket reciprocitetit në njërën anë, dhe heqjes së tarifës 100 për qind për lëndën e parë që vjen nga Serbia, në anën tjetër”, ka thënë Kurti.

Por, një gjë e tillë duket që nuk është e vërtetë.

Burime të Gazetës Blic, brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë bërë të ditur se Kurti nuk ka marrë miratimin e tyre për ta hequr në mënyrë të pjesshme taksën ndaj mallrave serbe.

Ky burim i ka thënë Gazetës, se Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar nga ana e Kurtit që të merret vendim për heqjen e tërësishme të taksës ndaj mallrave serbe.

Madje, sipas këtij burimi, kjo ka qenë arsyeja që asnjë zyrtar i LDK-së nuk ka marrë pjesë në konferencën e kryeministrit Kurti.

“Kërkesa e jonë ka qenë që të hiqet krejt taksa, e jo në mënyrë të pjesshme. Kurti ka vepruar krye në vete. Nuk është e vërtetë ajo që e tha se ka marrë miratim nga ana jonë. Veprimi i tij ka qenë i njëaanshëm”, i ka thënë ky burim Gazetës Blic.

Kjo kërkesë u bë e ditur edhe gjatë ditës së sotme, përmes një shkrimi publik të zv.kryeministrit të parë, Avdullah Hoti.

Ai ka kërkuar që të hiqet tërësisht taksa ndaj mallrave serbe, duke mos përmendur asnjëherë se kjo duhet të bëhet në mënyrë të pjesshme.

“Tarifa mbi mallrat serbe dhe boshnjake është pengesë e pa kapërcyeshmë për komunitetin ndërkombëtar, SHBA dhe BE. Çdo shtyerje për heqjen e tarifës komprementon seriozisht pozitën tonë negociuse në këtë dialog, dëmton raportin tonë me SHBA dhe BE, si dhe rrezikon një izolim për Qeverinë dhe vendin. Asnjë masë e jona e një anëshme nuk mund të mbroj apo avansoj pozitën tonë nëse ajo nuk mbështetet nga SHBA dhe BE. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të heqë tarifën famoze dhe kështu të ulet barabarsisht dhe me miqtë e saj në tryezën e Dialogut. Çdo alternativë tjetër rrezikon seriozisht të ardhmen e vendit”, ka shkruar Hoti.

Heqje e tërësishme e taksës ndaj mallrave serbe është kërkuar edhe nga emisari special i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Më poshtë mund të gjeni një pjesë të fjalimit të kryeministrit Kurti, se si do të hiqet taksa në mënyrë të pjesshme.

Ne do ta heqim tarifën 100% nga lënda e parë që importohet prej Serbisë në Kosovë që përdoret për prodhuesit tanë.

Kjo është shenjë e vullnetit të mirë nga ana jonë. Për fillimin e zgjidhjes së mirëfilltë të problemeve tregtare që kanë vendet tona.

Për këtë gjest të qeverisë tonë, qeveria e Serbisë t’i përgjigjet me ndërprerjen e fushatës për c ‘njohjet e pavarësisë së Kosovës përmes një zotimi të qartë dhe të fillojë me eliminimin e barrierave jo tarifore për Kosovën.

Nga Ministria jonë e Ekonomisë, kamë mësuar se ka një dosje të madhe të shkeljeve të marrëveshjes së CEFTA-s për mallrat kosovare.

Unë sot kam pas në takim në mesditë me zv/kryeministrin, Hoti, dhe në vija të trasha e kam njoftuar se sot do të dal me qëndrimin sa i përket reciprocitetit me një anë dhe heqjen e tarifës për lëndën e parë që vjen nga Serbia.

SHPËRNDAJE