Ekskluzive: Presidenti merr vendim për lirimin e vëllezërve Ramadani dhe Arben Kiqinës

Presidenti i vendit Hashim Thaçi sot ka marrë vendim që t’ua falë dënimin e mbetur dy vëllezërve Ramadani dhe Arben Kiqinës.

Veriu.info mëson se presidenti Thaçi sot e ka nënshkruar vendimin dhe lirimi i tyre është vetëm çeshtje kohe për shkak të procedurave.

Burim e Arsim Ramadani dhe Arben, Blerim e Jeton Kiqina ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001.

Rasti “Kiqina” njihet si një ndër lëndët gjyqësore penale më të gjata në Kosovë – me 107 shqyrtime gjyqësore vetëm sa gjykohej në Gjykatën e Qarkut në Gjilan. Rasti ka kaluar nëpër të gjitha shkallët e të gjitha gjykatave të vendit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Më 20 gusht 2001, Hamëz Hajra, bashkëshortja e tij Miradija, i biri Xhevdeti dhe vajzat Mimoza dhe Adelina kishin mbetur të vrarë në një rrugë në mes të fshatit Baicë dhe Tërstenik në Komunën e Drenasit, gjersa po ktheheshin nga një dasmë në shtëpinë e tyre në Gllogovc (Drenas), thuhet në aktgjykim.

Të dënuarit e këtij rasti vazhdimit kanë proklamuar pafajësinë e tyre duke pretenduar se rasti ndaj tyre ishte i montuar.