Ekskluzive: Zbulohet pse Bahtiri e theu premtimin dhe hyri në koalicion me PAN-in (Foto)

Nënkryetari i AKR-së dhe kryetari i komunës së Mitrovicës para dy ditësh kishte thyer premtimin për mos hyrje në koalicion me PAN-in, pasi që atë e kishin ‘mbeshtetur për muri’ kërkesat e minatorëve të bëra të hënën në mesditë në zyren e tij.

Ata i kishin kërkuar Bahtirit që ta zhbllokoj situatën dhe të ndikoj në formimin e shpejt të Qeverisë. Mirëpo, siç meson veriu.info kryetari Bahtiri ishte gjendur në pozitë të vështirë, duke iu kërkuar atyre pak kohë për t’u konsultuar me Ramush Haradinajn në lidhje me përmirësimin e gjendjes në Trepçë.

Ramush Haradinaj ishte zotuar se do të bëjë gjithçka që gjendja e minatorëve të përmirësohet dhe se Trepça do të rimëkëmbet. Pas kësaj Bahtiri kishte marrë vendim që t’i dërgoj në vend kërkesat minatorëve dhe kështu e kishte zhbllokuar procesin e lidhjes së koalicionit PAN-AKR.

Sot sindikata ka lëshuar një komunikatë për media ku e falenderon kryetarin Agim Bahtiri.

Ja komunikata e plotë:

Sindikata e Pavarur e Pensionistëve të Kombinatit “Trepça” (SPP), e ka mirëpritur marrëveshjen për formimin koalicionit në mes të PAN-it dhe AKR-së, me të cilën tashmë janë krijuar të gjitha mundësitë për formimin e institucioneve të reja, pas gati tre muajve që janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme nacionale.

Ne drejtuesit e SPP të Kombinatit “Trepça” përmes kësaj komunikate njoftojmë opinionin e gjerë se para se të arrihej kjo marrëveshje, bashkë me përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Minierës me Flotacion “Trepça” në Stantërg, me këkrkesën tonë kemi mbajtur një takim me kryetarin e Komunës, Agim Bahtiri, tek i cili kemi apeluar dhe e kemi lutur që të angazhohet fuqishëm për themelimin e institucioneve të reja, në mënyrë që vendi të mos futet në krizë edhe më të thellë, ndërsa që pasojat do të ishin shumë më të rënda.

Në takim e kemi njoftuar kryetarin Bahtiri edhe me gjendjen e rëndë që aktualisht mbretëron në “Trepçë”, gjendje e cila në mungesë të funksionimit të institucioneve të reja, do të përkeqësohej akoma, si dhe e kemi njoftuar për gjendjen e rëndë ekonomiko-sociale të punëtorëve dhe pensionistëve të “Trepçës”, por edhe të qytetarëve në përgjithësi.

Duke pas parasysh një gjendje të këtillë, ne në emër të sakrificës së minatorëve kërkuam nga kryetari Bahtiri që të jap kontributin e tij për zhbllokimin e situatës dhe formimin e institucioneve sa më parë, në mënyrë që “Trepça” dhe ekonomia e vendit të mos dëmtohen, por të filloj zhvillimi më i hovshëm i tyre.

Po ashtu, me këtë rast kërkuam që deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe institucionet tjera që do të duhej të formohen sa më shpejt, të tregojnë interesim shumë më të madh për zgjidhjen e problemeve të shumta të minatorëve, në veçanti çështjen e pensionimit të tyre.

Dhe në fund, ne drejtuesit e SPP të Kombinatit “Trepça” falënderojmë kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, për respektimin e kërkesës tonë dhe reflektimin e tij për angazhim për themelimin e institucioneve të reja.

SPP e Kombinatit “Trepça” vlerëson se marrëveshja për koalicionin për formimin e institucioneve të reja është një veprim patriotik dhe në interes të vendit dhe qytetarëve të tij, andaj kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, drejtuesit e koalicionit dhe nga të gjithë faktorët tjerë relevant që të sillen me përgjegjësi dhe që pa humbur kohë t’i formojnë institucionet e reja me qëllim që të evitojnë vazhdimin e mëtutjeshëm të krizës institucionale, e cila edhe ashtu deri tash i ka shkaktuar pasoja të rënda vendit dhe qytetarëve.

SHPËRNDAJE