Evans: Maguire mund të bëhet Van Dijku i Man Unitedit

Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Jonny Evans, e ka përkrahur ish-bashkëlojtarin e tij në Leicester City, Harry Maguiren, të jetë i suksesshëm në Old Trafford, pas transferimit që e bëri atë mbrojtësin më të shtrenjtë në histori të futbollit.

Qendërmbrojtësi u largua nga “King Power Stadium” pas dy sezonesh, duke iu bashkuar “Djajve të kuq” për 80 milionë funte këtë verë. Ky transferim bëri që Maguire t’ia zë vendin Virgil Van Dijkut të Liverpoolit si mbrojtësi më i shtrenjtë në botë, transmeton Gazeta Express.

Manchester Unitedi e solli Maguiren për ta përforcuar repartin e mbrojtjes pas dështimeve të sezonit të kaluar. Ole Gunnar Solskjaer shpreson se ai do të ketë ndikim të ngjashëm me fituesin e Ligës së Kampionëve dhe Lojtarit Më Të Mirë të Premierligës sezonin e kaluar, Van Dijk.

Anglezi 26-vjeçar e la një përshtypje të mirë në debutimin e tij me Manchester Unitedit në Premierligë, në fitoren bindëse me rezultat 4:0 kundër Chelseat.

Bashkëlojtari i tij, Paul Pogba, e cilësoi Maguiren si “bishë” dhe tha se ai është lider, përkundër që e ka zhvilluar vetëm një ndeshje me Manchester Unitedin. Por, Evans nuk është i befasuar nga ndikimi i mbrojtësit.

“Të dy [Van Dijk dhe Maguire] janë të mrekullueshëm me topin dhe Harry e ka një shpejtësi shpërthyese të cilën njerëzit nuk e shohin”, tha Evans në një intervistë të dhënë për Sky Sports.

“Të gjtihë do t’i krahasojnë çmimet e transferimeve, por është shumë e vështirë t’i gjykosh këto çmime tani. Jemi të gjithë njerëz dhe është e çuditshme se si shkëmbehemi me para”.

“Në afatin kalimtar, çmimi mund të ndryshojë shumë për shkak të kërkesave dhe numrit të lojtarëve të talentuar për një pozitë të caktuar. Gjëja më e rëndësishme është që ai të gjykohet për mënyrën se si luan”.

“Nuk kam asnjë shqetësim për të atje. Ai është i bërë për Manchester Unitedin, është një transferim i mrekullueshëm për të. Ai është lojtari për të cilin klubi kishte nevojë. Do të ketë shumë sukses atje”.

Manchester Unitedi do t’i kthehet futbollit sërish të martën, kur do t’i vizitojnë Wolves për ndeshjen e xhiros së dytë të sezonit të ri të Premierligës. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE