Fati i deputetit të dënuar Etem Arifi, Kryeparlamentarja i ka dërguar letra Gjykatës dhe KGJK’së

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, iu është drejtuar me anë të letrave Gjykatës së Apelit dhe KGJK’së lidhur me rastin e deputetit të minoriteteve, Etem Arifit. Lajmin e kanë konfirmuar për Gazetën Express nga zyra e kryeparlamentares.

Etem Arifi dje është bërë e ditur se e ka humbur mandatin e deputetit në momentin kur është dënuar me vendim të plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit.

Për këtë çështje, kryeparlamentaja Vjosa Osmani iu është drejtuar sot me anë të letrave, Gjykatës së Apelit dhe KGJK’së për të kërkuar sqarime lidhur me rastin.

Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën Express nga kabineti i Osmanit.

Pas vendimit të Gjykatës për dënimin e tij, deputeti Etem Arifi kishte vazhduar të marrë pjesë në seanca, derisa kishte votuar edhe për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit si dhe Rregullores së Kuvendit pas dënimit, deputeti e kishte humbur mandatin.

Deputeti Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione.

Arifi së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjëve”, u dënuan pasi Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë i gjetën fajtorë për përvetësimin e 26 mijë eurove.

Sipas aktakuzës Arifi dhe Gashi nuk i kanë përdorur subvencionet e Ministrisë për atë qëllim që u janë ndarë por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Etem Arifi u dënua pasi që si deputet nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim në Parlamentin e Kosovës ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.