Flamur Sefaj tregon për mënyrën që u largua

Ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, i cili dje dha dorëheqje pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj për ta liruar detyrën, ka thënë se i vjen keq për arsyet e largimit nga ky post.

“Më vjen keq, sepse mënyra dhe arsyeja nuk është ajo që unë do të doja. Por, absolutisht për të vazhduar të jemi me kulturë institucionaliste, kam pranuar kërkesën për largim përmes dorëheqjes time”.

Sefaj, që është i ftuar në Zona B të Klan Kosovës, e ka cilësuar largimin e tij nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme si “lojë politike”, e jo “dobësi”.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

“Kam shërbyer me nder, krenari dhe me privilegj për qytetarët dhe vendin tim”.

“Nuk e konsideroj se arsyeja bazohet në ato kritere, por lojërat politike janë të tilla, janë mjaft ballkanike. ‘Bizantine’ ndoshta është term më i sofistikuar, por ‘ballkanike’ mendoj se është terminologjia e saktë”.

“Është kërkuar që të largohem, kjo edhe ka ndodhur. Ndoshta është më shumë jo për shkak të ndonjë dobësie politike, por për shkak se ne jemi më institucionalistë”.

“AKR-ja ka qenë vendimtare për themelimin e kësaj qeverie. Prapë AKR-ja me vendimet e saj po e shpëton të njëjtën qeveri”.

Ish-Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se kur ka dorëzuar dorëheqjen nuk ka kërkuar që AKR-ja të vazhdojë të mbesë pjesë e qeverisë.

“Unë nuk e kam kërkuar këtë, sepse jam marrë me procedurat me të cilat është dashur të merrem. Kam qenë shumë i brengosur në mënyrë shpirtërore për të gjithë bashkëpunëtorët që kisha aty”.

Sefaj ka deklaruar se largimi nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe ndarja me bashkëpunëtorët ka qenë akt shumë i vështirë.

“Ka qenë moment mjaft i dhimbshëm largimi dhe ndarja nga të gjithë bashkëpunëtorët”.

“Kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm. E shoh këtë çështje në aspektin se kam qenë në një vend pune, ka mbaruar ajo karrierë dhe tani jam larguar”.

“E di që largimi im ka prapavijë politike, ka disa lojëra pothuajse rurale brenda, të mentalitetit mjaft rural, sepse nuk është menaxhuar si duhet”.

SHPËRNDAJE