Flasin nga Brukseli, tregojnë kur arrihet marrëveshja finale me Serbinë

Politikanë të caktuar të Bashkimit Evropian, kanë nisur të flasin për një afat kohor se kur duhet të arrihet marrëveshja finale në mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një burimi të lartë diplomatik nga Brukseli, që i foli Klan Kosovës me kusht anonimiteti, ujdia finale, që është një ide për të cilën po flitet nga 5 janari, do të arrihet në fund të vitit.

Në këtë plan parashihet që Prishtina dhe Beogradi të pajtohen për një marrëveshje ku njohja e shtetit të Kosovës është thelbi i planit.

Ndërkaq për serbët e Kosovës planifikohet një autonomi të sofistikuar e quajtur “Ahtisaari Plus”.

“Për Ahtisaarin Plus flitet që nga viti 2011. Politikanët e kohës e kanë demantuar dhe refuzuar, momentalisht kjo punë e këtij plani po shihet nëse është e mundur apo jo, sepse aty i kemi marrëveshjet e Brukselit më 2013.

Kjo është korniza nga ku rrjedhin ujdi, shumë prej të cilave janë në zbatim”, ka thënë për Klan Kosovën drejtori i Organizatës Aktiv që ka seli në Prishtinë dhe Mitrovicë.

Ai tutje ka theksuar se komplikimet më të mëdha në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë janë asociacioni i komunave serbe.

“Krijimi i asociacionit qysh moti shihet si status special dhe njëfarë lloj autonomie për serbët në 10 komuna ku ata janë shumicë. Kjo është çështje kyçe që është si pengesë në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd”, ka thënë ai.

SHPËRNDAJE