Flet i moshuari nga Gjakova që ia vranë djalin në Barcelonë

Bujar Gashi, 41 vjeç nga Gjakova, prej vitesh me vendbanim në Barcelonë, ka vdekur në rrethana misterioze, javën e kaluar. Dyshohet se një përleshje me thikë ka qenë fatale për të në qytetin katalonas ku kishte migruar prej vitesh. Në Barcelonë, Gashi, ushtronte profesionin e shoferit. Familja e tij në Gjakovë që e priste vizitën, tani po e presin kufomën

Në kafenenë përballë banesës ku banon me qira, babai i moshuar i Bujarit, Xhemaili, i tronditur me rastin që i ka ndodhur familjes së tij tha se nuk ka asnjë informatë se si ndodhi ngjarja dhe cilat motive e çuan drejt vdekjes djalin e tij.

Xhemaili tha se po e pret kufomën e Bujarit për të hapur të pamën.

“Se di as çka ka ndodhë as kurgjë nuk di. Djali është i lindur në vitin 1977. Në Barcelonë ka shku që 3-4 vjet. Po e pres kufomën por nuk dihet kur vjen, Spanja hala s’na ka njoft pavarësinë. Zoti e din sa ka me zgjatë procedura, të pamen nuk e kemi hap s’bon pa ardhë kufoma”, thotë babai i viktimës për Express.

Ai thotë se më parë bashkë me familje kanë jetuar në Gjermani, ndërsa më vonë Bujari ka migruar në Spanjë ku edhe e ka ushtruar profesionin e shoferit.

“Djali u kan shofer nuk dim kurgjo për momentin se dim qysh ka ndodhë”, rrëfen më tej i moshuari.

Familjarët thanë se Bujari nuk ka qenë i martuar ndërsa vazhdimisht ka mbajtur kontakte me ta. Ata po ashtu pohuan se ai kurrë nuk është ankuar se ka probleme me dikë në Spanjë.

“Nuk u kan i martuar kontakte kem pas gjithmonë u ardhë e kemi fol me to, probleme s’ka pas, kemi mbajt kontakte përmes telefonave. 10 ditë para se me ndodhë rasti kom pas kontakt me Bujarin, s’ka pas absolut asnjë problem”, tha vajza e axhës së Bujarit.

prane kafenese ku Xhemaili po pret ndonje lajm per djalin e vdekur
Burime brenda Policisë së Kosovës kanë konfrirmuar vdekjen e Bujar Gashit, por nuk kanë dhënë më shume detaje për këtë rast. As Ministria e Punëve të Jashtme nuk i është përgjigjur thirrjeve gjatë ditës së sotme.

Viktima ishte goditur me thikë dhe nga plagët e marra Ekipi i Emergjencës nuk ka arritur që t’ia shpëtojë jetën kosovarit.

SHPËRNDAJE