Flet ministri pas taksës ndaj Serbisë: Ju ftojmë të gjithëve që t’i bashkoheni kauzës tonë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka folur pas vendimit të Qeverisë që ta ngrisë në 100 % taksën e importit ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Ju ftoj të gjithëve, të nderuar qytetarë të vendit tonë, prodhues, tregtar, që t’i bashkangjiteni kauzës tonë, për zhvillim të vendit, për rritjen e punësimit dhe mirëqenies për qytetarët tonë”.

Shala përmes një statusi në Facebook ka ftuar qytetarët, prodhuesit dhe tregtarët që t’i bashkëngjiten kauzës për zhvillim të vendit.

Nga prodhuesit, ka kërkuar që të fokusohen në cilës derisa nga tregtarët që të gjejnë zgjidhje kreative, njofton Klan Kosova.

“Të nderuar prodhues, kërkoj nga ju të fokusoheni në cilësi. Produktet duhet të arrijnë cilësinë e standardit më të lartë në mënyrë që konsumatori-qytetari i Republikës të Kosovës, mos të ketë asnjë mëdyshje në përzgjedhjen e konsumit të tyre ditorë”.

“Të nderuar tregtarë, le të bashkohemi dhe të bëjmë zgjidhje kreative. Ta hulumtojmë tregun së bashku dhe të gjejmë vende tjera për të bashkëpunuar. Rritja e eksportit të produkteve dhe jo të mirave materiale, duhet të bëhet prioritet”.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë ka folur edhe për barrierat e prodhuesve kosovarë.

“Siç e dini prodhuesit kosovar ballafaqohen me barriera të ndryshme në Serbi, produktet e të cilëve nuk mund të hyjnë në tregun e Serbisë”.

“Sa i përket barrierave tregtare me Bosnjën janë po të njëjtat, si ato me Serbinë”.

“Ministria që unë udhëheq e përkrahur poashtu nga Qeveria e Kosovës, do të fokusohet në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj, duke krijuar kushte sa më të volitshme për prodhuesit dhe tregtarët vendorë. Andaj shpresojmë në bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj në rrugëtimin tone për të fuqizuar Kosovën, prodhuesin dhe tregun e saj”.

SHPËRNDAJE