Fshati ku djem dhe vajza mbeten beqarë, ia panë sherrin emrit të fshatit

Historia e 70 viteve më parë në Urën Vajgurore. Letra e vitit 1945 e pleqësisë për të ndërruar emrin e fshatit, në ‘53 u quajt Guri i Bardhë.

Djemtë nuk po gjenin dot nuse, por edhe vajzat po u mbeteshin në derë. Shkaku i vetëm ishte emri degradues që mbante fshati – Qelbësirë. Me këtë shqetësim, që në vitin 1945 pleqësia iu drejtuan organeve të pushtetit popullor dhe të Partisë: “Duam të ndërrojmë emrin Qelbësirë”. Që nga ajo kohë kanë kaluar gati 70 vjet dhe banorët e Gurit të Bardhë të Bashkisë Ura Vajgurore, një pjesë e madhe e ardhur vitet e fundit, nuk e dinë historinë e fshatit të tyre, transmeton Gazeta NewBorn.

……………………………………………………………………………………………………………..
Ja çfarë i bën breshëri kësaj veture

……………………………………………………………………………………………………………..

Por ka ende gjallë protagonistë të kësaj nisme, si për shembull 95-vjeçari Vangjel Larushi, ish-kryetar i Këshillit Ekzekutiv të fshatit. I moshuari e ruan edhe sot të freskët në kujtesë mbledhjen e famshme që u zhvillua për heqjen e emrit të fshatit Qelbësirë, me argumentin e vetëm se po i linte djemtë dhe vajzat pa martuar. “Në vitin 1945 u zgjodha sekretar i Këshillit Popullor të fshatit. Vendosëm që nga Qelbësirë, fshatit t’ia vëmë emrin Goricë. Nuk u pranua. Kërkuam përsëri e përsëri që të hiqej ky emër i rëndë, derisa u vendos Guri i Bardhë”, kujton i moshuari vendali. Ndërrimi i emrit ndodhi në vitin 1953, ku doli edhe në gazetë zyrtarisht…

SOT NË “QELBËSIRË”

Në këto ditë të nxehta vere, futemi në lagjen “Guri i Bardhë” në Urën Vajgurore. Syri menjëherë të shquan re të mëdha tymi që qëndrojnë si kapele mbi çatitë e shtëpive. Janë minierat e gurit që gati po e zhveshin të gjithë kodrën, në anën e djathtë. Ky mesa duket është shkaku se pse “Qelbësira” sot quhet “Guri i Bardhë”. Kamionët ndjekin njëri-tjetrin dhe pluhuri që lënë pas mbulon muret rrethuese të shtëpive, si dhe pemët anës rrugës. Një e moshuar me fshesë në dorë shan dhe bërtet pas çdo kamioni:

“Ju marrtë dreqi, ju marrtë, se na vdiqët me këtë tymin dhe zhurmën që në mëngjes”. “Nuk na latë rehat, që s’na latë”,- mallkon një e moshuar tjetër ngjitur me të parën, me shami të zezë në kokë, teksa mbyll portën jeshile, si për të frenuar tymin që po hynte në oborrin e saj. Kur hyjmë në fshat, një duhmë ere e padurueshme na kujton origjinën e emrit të vendosur më shumë se 120 vite më parë! Qelbësirë! Por, nëse emri sot është zëvendësuar dhe gati-gati harruar, era e keqe e ujit të llixhave është akoma aty, shkruan Gazeta NewBorn.

Duhma e erës të bllokon frymëmarrjen, sa më afër burimit. Naumka Mafiqi është 71 vjeçe. Ajo është nga fisi i Mafiqëve, një ndër fiset e para vllehë të Qelbësirës. Shtëpia e saj ndodhet pak metra nga uji që mban erë të rëndë, po familja e saj është mësuar dhe nuk u bën përshtypje. Gjyshe Naumka na tregon se kur ishte 17 vjeçe u martua me burrin nga fshati Qelbësirë. Ajo e mori burrin me dashuri, por kur ai i tha se nga ishte, nëne Naumkës ç’nuk i shkoi në mendje për këtë fshat.

“Kur më tha që jam nga Qelbësira, thashë me vete: Ç’të jetë vallë ky fshat? Prindërit nuk donin të më jepnin, po unë e doja. Kur erdha këtu, ç’të shihja… Siç kishte emrin, ashtu ishte vërtet. Erë e keqe, vend i qelbur, papastërti e varfëri në kulm”, tregon nëne Naumka, duke rregulluar herë pas here flokët thinjoshe. Për të shkuar deri te llixha, vijnë pas nesh edhe nipi i saj 9-vjeçar, Dhimitri dhe Naumka e vogël, mbesa e saj. “Teta”, – më thotë Dhimitri, – “ky uji vërtet vjen erë e keqe, por sa herë që mbushemi me puçrra, mami na lanë me këtë ujë dhe puçrrat na ikin si me magji”. Vogëlushi mezi pret të vijë mirë vera, që të lahet në këto anë, percjelle Gazeta NewBorn.

TRI LLIXHAT

Banorët thonë se ky ujë me erë të keqe ka efekte shëruese, sidomos për kurimin e veshkave. Janë tri burime ujore afër lumit, të cilat përmbajnë sulfur me erë të rëndë. Kur ky fshat në vitet 1900 ishte i ligjëruar dhe i njohur me jo më shumë se 10 shtëpi, banorët e parë të cilët ishin vllehë, të ardhur nga Ujaniku i Skraparit, e përdornin ujin për të pirë. Me këtë ujë kryheshin edhe ritualet e para të shenjtërimit pagan dhe kristian. Në majë të kodrës ishte kisha. Vendësit tregojnë se prifti i fshatit e përdorte ujin e llixhës si ujë të bekuar. Ndërsa gjyshe Naumka kujton një tjetër ritual: “Dikur vjehrrat për nuset e reja që nuk ngelnin dot shtatzënë u thoshin që të laheshin me këtë ujë që të bëheshin nëna”.

Ky ujë me erë nuk dihet nga buron, por është i pastër si ari dhe i ftohtë. Banorëve të sotëm as që u shkon ndër mend ta pinë, vetëm fanatikët e vjetër që thonë se këta të sotmit nuk ia dinë vlerën këtij uji, shkojnë dhe e mbushin ndonjë shishe. Në këtë fshat gjen shumë pak vendalinj si nënë Naumka. Pothuajse të gjithë janë të ardhur nga fshatrat përreth. Edhe nga Tepelena takon shumë në këtë zonë. Shumë pak prej tyre mund të të ndihmojnë për të mësuar më shumë rreth origjinës së emrit të këtij fshati, që sot është gati i harruar.

URA BIZANTINE

Jo vetëm llixhat me ujë shërues, por edhe urat janë karakteristike për këtë zonë. Në tokën e plakës Naumkë, disa hapa më lart llixhës, ndodhen dy harqe të urës së Konizbaltës, në anën e majtë të lumit Osum. Kjo urë mund të jetë ndërtuar para 1700-s, që nga koha bizantine. Ajo lidhte fshatin Qelbësirë me pjesën tjetër të qytetit. Të moshuarit tregojnë si legjendë se 83 luftëtarë trima nga Vlora dhe Skrapari e ruanin këtë urë, por ajo u prish pas viteve 1850 nga ushtria turke.

Ndërsa sot harqet e urës përdoren për të mbajtur lëpushkat e misrit për bagëtitë e nëne Naumkës. “Këtu poshtë urës fle dhe Xhoni”, – shton rrëmbyeshëm Dhimitri i vogël për qenin e tij, i vetmi “luftëtar” i mbetur. Llixha e tretë dhe e fundit ndodhet jo shumë larg nga dy të parat. Për të është treguar më shumë kujdes. Është e rrethuar me gurë të bardhë dhe e pastruar nga kallamet e shkurret. Shpeshherë kjo llixhë përdoret më shumë për të pirë ujë, se dy të tjerat. Por, era vijon të jetë njësoj kudo, e rëndë, shumë e rëndë

SHPËRNDAJE