“’Ftyra’ ta kanë loken” – kush është njeriu që bëri SHBA-në dhe Britaninë të tërhiqen

Emri i Naser Shalës ishte përmendur në Kuvendin e Kosovës vite më parë nga Adem Grabovci kur po ia kujtonte atëherë kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi ‘fuqinë’ e “ftyrës”, me të vetmin qëllim që t’i bindej shefit të atëhershëm të PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Grabovci, i ishte afruar Jakup Krasniqit tek foltorja e Kuvendit dhe i kishte thënë “e thirri, ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”.

Për shkak të emrit të Naser Shalës, Ambasada e SHBA-ve dhe e Britanisë së Madhe ishin larguar nga Bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës me aryetimin se Kosova po tradhtonte besimin dhe po dëmtonte imazhin e vendit.

“SHBA-ja ka dhënë dorëheqjen nga Bordi i KPVCA-së, siç bëri Mbretëria e Bashkuar më herët. Ne nuk do të vazhdojmë të jemi pjesë të një institucioni kur lidershipi i tij u shërben interesave personale dhe politike, më shumë se sa qytetarëve”, thuhet në njoftimin për media të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

“Përzgjedhja e miqve të pakualifikuar për pozicionet qeveritare dëmton imazhin e Kosovës dhe tradhton besimin e publikut”, thuhet më tej në njoftim.

Ambasadori Ruari O’Connell, duke mos u pajtuar me këtë përzgjedhje pati dhënë dorëheqje nga kryesimi i Bordit të Agjencisë së Pronës, në mars të këtij viti. Ai ishte shpërfillur nga Kuvendi i Kosovës, që të emërohej në një pozitë kandidati më i suksesshëm në konkursin e monitoruar nga ambasada.

Kuvendi i Kosovës, por edhe institucione tjera, kishin nënshkruar memorandum me Ambasadën Britanike për monitorimin e përzgjedhjes së stafit në pozita publike të ndryshme.

“Fatkeqësisht, Kuvendi ka dështuar të zgjedhë kandidatin e vetëm që kishte plotësuar kriteret e konkursit dhe kështu ka vendosur në këtë pozitë një kandidat që nuk u konsiderua profesional për pozitën”, thuhej në njoftimin e Ambasadës britanike.

adds image
Por vetëm dy ditë më parë, ‘ftyra’ foli për herë të parë për pozitën që e kishte fituar. Aty ai tha se nuk e ka ndërmend të largohet për shkak se sipas tij e meriton.

Por kush është ‘ftyra’?

Naser Shala, që në luftë njihej si komandant “Ftyra”, ka qenë i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile dhe kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”.

Pas një procesi të gjatë, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij në mesin e tyre edhe Shalën. Ndërsa, Gjykata Supreme e Kosovës përfundimisht më 24.05.2017 kishte vërtetuar pafajësinë e tyre.

Lidhjet e afërta mes Grabovcit dhe ‘ftyres’ vërtetohen edhe në disa përgjime të publikuara vite më parë.

Në bisedë telefonike, ish-shefi i PDK-së në Kuvend të Kosovës, i tregonte ‘fytyrës’ se me emrin e tij ia kishte përmendur Jakup Krasniqit. Sipas Grabovcit më pas, Krasniqi ishte dorëzuar.

“Jakupit, veç shkova i thash n’vesh, thash qy thash e thirri, e thirri ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”, tregonte Grabovci. “Edhe u dorëzu”.

“A t’ngoj bile”, e pyet Shala.

“Ngoji, menjëherë, menjëherë u tërhoq, derisa t’përmena ty”, thoshte Grabovci./Sinjali/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE