Gazeta zvicerane alarmon për rastet me COVID-19 në Kosovë

Gazeta e njohur zviceriane Blick ka shkruar sot për numrin e shtuar të personave të prekur me koronavirus në Kosovë, raporton Gazeta Express.

Në këtë artikull të publikuar nga Blick thuhet se Kosova ishte njëri nga shtetet që nuk ishte prekur që nga fillimi prej pandemisë koronavirus.

Gazeta zviceriane shkruan se nga 18 maji qeveria në Kosovë ka nisur me lehtësim të masave, derisa, edhe aty si në vendet tjera evropiane ekzistonte një frymë optimizmi për këtë cështje.

“Më pak se dy muaj më vonë, situata është krejtësisht e ndryshme. Numrat e personave të infektuar me koronavirus janë rritur ndjeshëm që nga mesi i qershorit. Gjatë ditëve të kaluara, ka pasur më shumë se 200 infeksione të reja, gjithsej 94 vdekje tashmë janë konfirmuar – dhe numri ka të ngjarë të rritet shpejt. Numri i rasteve aktive të enjtën është bërë e ditur se është 2118”, shkruhet në artikull.

Aty përmendet se gjatë tri ditëve të kaluara numri i personave që kanë dalë pozitiv me COVID 19 ka qenë gjysma e atyre që janë testuar.

Mungesa testeve është gjithashtu njëri nga problemet për të cilat flitet në këtë artikull. Derisa në Zvicër, kryhen deri në 15 mijë testime në ditë, në Kosovë kryhen nga 200 deri në 400 teste.

“Qeveria tashmë e ka njohur problemin. Kryeministri Avdullah Hoti i cili ka qenë në krye të Qeverisë që nga 3 qershori, dëshiron të rrisë kapacitetet e testimit në 500 teste në ditë. Numri i të infektuarve në Kosovë ka të ngjarë të mbetet i lartë edhe në Kosovë, d.m.th. numri i të infektuarve që nuk e dinë se janë të infektuar – dhe gjithashtu mund të mos kenë simptoma”, thuhet në artikull.

Aty përmendet se qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja për kufizim të lëvizjes së qytetarëve, në ato komuna ku ka më së shumti raste të konfirmuara.

“Ne po bëjmë çmos që gjendja të jetë nën kontroll,” citohet të ketë thënë kryeministri Hoti. Ai nuk do të kishte asnjë hezitim në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nëse ekspertët e shëndetit e miratojnë.

Qeveria kosovare jo vetëm që po lufton virusin – por po lufton edhe popullsinë e vet. “Vlerësohet se 30 përqind e qytetarëve të Kosovës nuk mendojnë se Covid-19 është i vërtetë,” tha Hoti.

Kriza e koronës në Kosovë mund të jetë problem për Zvicrën

Për Zvicrën, zhvillimet në Kosovë janë problematike për shkak të sezonit të pushimeve. Pas Serbisë, Kosova është duke u bërë një nga shtetet numrin më të madh të rasteve, me pasoja dramatike nëse udhëtarët kthehen në Zvicër të infektuar dhe nuk respektojnë rregullat e karantinës.

Kosova është në listën e Këshillit Federal të vendeve me rrezikshmëri të lartë, por shumë njerëz që janë të gatshëm të udhëtojnë me sa duket nuk duan të respektojnë rregullat e detyrueshme të karantinës pas kthimit të tyre.

“ Dhjetë ditë vetë-izolim janë të detyrueshme pas një udhëtimi në Kosovë – kushdo që e shkel këtë mund të gjobitet deri në 10,000 CHF. Nuk ka kontrolle në vendkalimet kufitare – as me tokë dhe as në aeroport”, thuhet në artikull.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE