Gënjeshtrat e Pacollit: Gruaja e biznesmenit të Shqipërisë është emëruar Konsulle nga ai

U raportua se Kosova ka dy konsuj nderi në Shqipëri, e Behgjet Pacolli ka bërë emërime të dyshimta. Njëri prej konsujve është këshilltar i Pacollit, ndërsa tjetra është gruaja e një të dyshuari për drogë. Për këtë të fundit, Mimoza Ndroqin, ministria e Pacollit ka mohuar se është konsulle, ndërsa një dokument i siguruar nga Gazeta Express e vërteton të kundërtën. Kryediplomati kosovar e ka emëruar vetë Ndroqin konsulle të nderit.

Albioneta Ademi

Kur ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, u hoqi privilegjet konsujve të nderit, ranë në sy dy të tillë që Kosova i ka emëruar në Shqipëri.

Njëra prej tyre është Mimoza Ndroqi, gruaja e biznesmenit Ylli Ndroqi, i cili është i njohur edhe për një rast në Turqi, ku nga mediat e Shqipërisë është raportuar se ai është dyshuar, madje edhe dënuar, për trafikim të drogës.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, është mohuar se Ndroqi është konsulle e nderit në Shqipëri.

“Mimoza Ndroqi nuk është konsulle e nderit e Kosovës në Shqipëri”, thuhej në përgjigjen e MPJ’së dhënë të hënën për Gazetën Express.

Jozyrtarisht nga e njëjta ministri kanë thënë se Ndroqi ka qenë vetëm e propozuar, por pas informatave që kanë marrë për të, ajo nuk është emëruar.

Emri i Mimoza Ndroqit megjithatë figuron në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e ajo nuk është vetemëruar.

Gazeta Express ka siguruar certifikatën e MPJ’së, në të cilën Ndroqi emërohet si konsulle e nderit nga Kosova në çarkun e Vlorës.

Ky dokument është nënshkruar me 30 nëntor të 2018’ës, ndërsa është në fuqi për katër vjet.

Ligji për konsujt e nderit parasheh shkarkimin e kësaj kategorie të diplomacisë, kurdo që kërkohet nga MPJ, e ministri Pacolli nuk ka marrë vendim për largimin e Ndroqit.

“Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës njofton me anë të kësaj Certifikate hapjen e Konsullatës së Nderit të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë. Distrikti konsullor përfshin qytetin e Vlorës me rreth Konsullor Prefekturën e Vlorës dhe me zyrë në Konsullatës së Nderit në qytetin e Vlorës” , thuhet në dokumentin e nënshkruar nga Pacolli.

Një javë më vonë emërimin e Ndroqit e ka pranuar ish-ministri i Jashtëm e Shqipërisë, Ditmir Bushati.

“Pas shqyrtimit të Certifikatës së Konsullit të nderit me atë së cilës njoftohet se zonja Mimoza NDROQI është emëruar Konsull Nderi i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, lejoj që Zonja Ndroqi të ushtrojë aktivitetin e saj në detyrën e Konsullit të Nderit”, thuhet në pranimin e Shqipërisë.

Bashkëshorti i konsulles së nderit është mik me Behgjet Pacollin dhe këtë e ka deklaruar vetë biznesmeni Ylli Ndroqi.

Kur Ndroqi ishte akuzuar se bashkë me Pacollin janë të përfshirë në një çështje biznesore, ai ka deklaruar se atë e ka vetëm mik.

“Behgjet Pacollin e kam mik por nuk kam asnjë marrëdhënie biznesi me të”, kishte thënë ai. /Express/

SHPËRNDAJE