Gjini thotë se ekipi negociator pa opozitën nuk është i mirë për Kosovën

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka folur rreth ngjarjeve të fundit politike në vend, me theks të veçantë negociatat me Serbinë.

“Kryeministri nuk ka dashur të jetë pjesë e negociatave, por kurrë s’ka qenë kundër dialogut me Serbinë dhe s’ka refuzuar që AAK të merr pjesë në atë dialog. AAK po ashtu s’ka qenë kundër që Thaçi ta udhëheqë dialogun deri sa kanë ndodhur këto përplasjet e fundit”.

“Në këtë rast disa gabime ka bërë edhe opozita. Të gjithë i kanë lutur të jenë pjesë e negociatave për shkak se ka të bëjë me të ardhmen e vendit dhe ky refuzimi i opozitës shkakton disa probleme, jo vetëm tash por edhe për të ardhmen”.

“Shqiptarët e kanë problem egon. Ta ulin pak dozën munden me qenë të jashtëzakonshëm, por doza pak më e madhe e egos po na shkakton problem, përndryshe i kemi premisat me qenë shumë të fuqishëm në dialog”, deklaroi Gjini në emisionin Zona B në Klan Kosova.

Ai foli edhe rreth faktit që ekipi negociator përbehet pa opozitën:

Qeveria duhet me i marr disa veprime. Gjithmonë ka qenë shpresa që kemi me arrit një dakordancë me opozitën, por prapë një kalkulim është pak i gabueshëm. Opozita po e sheh këtë ballafaqim në mes të presidentit dhe kryeministrit, por nuk do të përfundojë qysh po mendojnë”.


“Po bëhet një vit që gjithkush po e lut opozitën me u bë pjesë. Edhe ndërkombëtarët, të gjithë, dhe në një moment dikush thotë është e pamundshme të vazhdohet kështu”.

“Një ekip negociator pa opozitën nuk është i mirë për Kosovën. Edhe nëse gjen zgjidhje ideale nuk është e mire dhe opozita duhet me qenë pjesë e vendimmarrjes, pra kjo është jetike. Kosova do të duhet te gjejë zgjidhje të ndërmjetme, por nuk do të jenë të mira”.

Nënkryetari i AAK-së u ndal edhe tek çështja e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, duke i ripërsëritur deklaratat e shefit të tij.

“Haradinaj e ka thënë, kur t’i bëni 61 vota hajdeni në parlament edhe rrëzojeni qeverinë. Kemi me pas këso rrethanash në vazhdimësi. Prapë është provizion ligjor i gabueshëm kushtetues, opozita do të kërkojë gjithmonë rrëzimin e qeverisë, por nuk do t’ia arrijnë ta rrëzojnë nëse s’e duan vet pushtetin”.

“Liderëve tanë nuk u mungon guximi me u marr me tema, por e kanë kuptuar që për zgjidhje afatgjata duhet me pas një koncensus të gjerë. Edhe nëse zgjidhjen ideale e kemi ne xhep duhet të insistojmë që me e pas edhe opozitën. Edhe nëse imponohen rrethanat po ju garantoj qe kjo mazhorancë i merr vendimet”, u shpreh Gjini.

SHPËRNDAJE