Gjuriq: “Universiteti i Prishtinës” në Mitrovicë, simbol i pranisë së Serbisë në Kosovë

Zyrtari i Qeverisë së Serbisë i ngarkuar me çështje të Kosovës, Marko Gjuriq, ka uruar “Ditën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.

Madje, Gjuriq e ka cilësuar ekzistimin e Universitetit paralel të Prishtinës që funksionon në Mitrovicën Veriore dhe punon në kuadër të sistemit të arsimit të lartë të Serbisë , “një nga institucionet kyç nacionale dhe simbol i pranisë së Republikës së Serbisë në Kosovë dhe Metohi”.

“Vazhdimi i ekzistimit dhe i zhvillimit të universitetit tonë në kuadër të sistemit arsimor të Republikës së Serbisë është synim me interes kyç shtetëror dhe nacional, dhe askujt nuk do t’i lejojmë që ai status të kontestohet”, ka thënë Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovë pranë Qeverisë së Serbisë, raporton Tanjug, përcjell Koha Ditore.