Gjykata e Apelit vërteton pafajësinë e Shefqet Krasniqit

Gjykata e Apelit ka vërtetuar pafajësinë e ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqit, i cili ishte liruar nga akuzat në bazë të një aktvendimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës në muajin mars të këtij viti.

Insajderi ka mësuar nga burimet se Gjykata e Apelit ka marrë sot vendim që të vërtetoi aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për lirimin nga akuzat të Krasniqit.

Ish-imami akuzohej për veprat penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik” dhe veprën “shmangie nga tatimi”.

Në bazë të aktakuzës së 27 shkurtit 2017, Shefqet Krasniqi, akuzohej për veprën penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, nga viti 2013 e deri më 2014, në cilësinë e imamit të xhamisë së madhe “Mehmet Fatih”, në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, kryesisht në mënyrë indirekte, mesazhe të cilat kanë shtyrë të tjerët të marrin rrugën për Siri dhe Irak dhe të ndërmarrin veprime terroriste në ato vende.

Prokuroria pretendonte se Krasniqi, ka shfrytëzuar paraqitjet e tij të drejtpërdrejta me anë të ligjëratave dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimeve të ajeteve kuranore jashtë kontestit kohor dhe frymës parimore islame. Prokuroria, në këtë kontest përmend ligjëratat “Revulucioni Sirian” dhe “Ndihmone Sirinë”.

SHPËRNDAJE