Gjykata e Drenasit e thërret punëtorin e vdekur për të dëshmuar

Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Drenas, e ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit të vdekurin Sherif Gegaj, i cili kishte vdekur nga rryma gjatë kohës kur po punonte në një kompani.

Kjo gjykatë ka paraparë që më 26 nëntor ta mbajë seancën e shqyrtimit kryesor ndaj një të akuzuari, pronar të një firmë të ndërtimit ku kishte qenë duke punuar Sherifi si punëtor krahu dhe aty kishte humbur jetën duke punuar.

I vëllai i të vdekurit Rexhep Gegaj ka thënë për KALLXO.com se po ndihet i fyer me veprimet e gjykatës.

“Fillimisht Prokuroria e zvarriti rastin e ngritjes së aktakuzës për 8 vite, tash ne ende jemi duke pritur drejtësi Gjykata e Drenasit na thërret vëllain e vdekur në cilësi të dëshmitarit i cili ka vdekur me 04. 11. 2009”, thotë Gegaj për Kallxo.com.

Kallxo.com ka kontaktuar me mbikëqyrësin e Gjykatës ne Drenas, Vesel Gorani, i cili ka thënë se është një gabim teknik.

“Gjykata e ka dërguar ftesën palës së dëmtuar dhe ajo është dashur të lëshohet në emrin e Rexhep Gegajt mirëpo për shkak të një gabimi teknik ka shkuar në emrin e të vdekurit”, tha Gorani.

Aktakuza e Prokurorisë e datës 12.03.2018 kopjen e së cilës e ka siguruar KALLXO.com përshkruan  momentin e vdekjes së Sherif Gegajt.

“Ashtu që si pasojë i dëmtuari Sherif Gegaj punëtor krahu duke punuar në përzierëse betoni pa pajisje mbrojtëse, në kushte atmosferike me reshje shiu, bie ne kontakt me rrymën dhe si pasoj e humb jetën”, përshkruan aktakuza e prokurorisë.

SHPËRNDAJE