Gjykata merr vendim, lajm shumë i mirë për Milaim Zekën

Gjykata Themelore në Prishtinë ka hequr masën e arrestit shtëpiak për deputetin e Kuvendit Kosovës nga radhët e Nismës për Kosovën, Milaim Zeka.

Sipas këtij vendimi që është marrë me datën 16 dhjetor, tani Zeka është i detyruar vetëm të lajmërohët në stacionin më të afërt policor.

Ky vendim, sipas avokatit të tij, Gazmend Halilajt është një masë shumë më e butë se ajo që ishte deri më tani.

“Gjithçka po shkon duke rënë në vendin e vet, duke u dëshmuar se i mbrojturi im në asnjë mënyrë nuk është i përfshirë në veprat për të cilat akuzohet dhe të gjitha pretendimet e prokurorëve dhe të gjykatës kinse i njëjti po të gjendet i lirë mund të ndikojë në rrjedhën suksesshme të procedurës penale, dëshmohet se kanë qenë krejtësisht të panevojshme, të pabazuara dhe të paarsyeshme. Koha e dëshmoi që klienti im ka qenë jashtëzakonisht disiplinor dhe nuk ka ndërmarrë as veprimin më të vogël që të ndikojë në rrjedhën e suksesshme të procedurës penale. Andaj, Gjykata me vendimin e fundit ka hequr masën  e arrestit shtëpiak dhe ka vazhduar me një masë shumë më të lehtë e cila është lajmërimi në stacioni më të afërt policor”, ka thënë Halilaj gjatë një prononcim për Indeksonline.

Halilaj beson se prokurori do të nxjerr aktvendimin me të cilën do të pushojë hetimet ndaj klientit të tij dhe se nuk do të ngritë fare aktakuzë.

“Ne si mbrojtje besojmë fuqishëm se pas marrjes së veprimeve nga ana e prokurorit i kemi paraqitur të gjitha provat dhe materialet me të cilat prokurorit i është pasqyruar gjendja e drejt faktike se i mbrojti im në asnjë veprim të tij nuk ka përbërë asnjë element të veprave penale për të cilat është akuzuar. Besojmë fuqishëm se prokurori do të nxjerr aktvendim me të cilën do të pushojë hetimet ndaj klientit tim dhe nuk do të ngritë fare aktakuzë”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Zeka  është akuzuar për “Mashtrim me viza” dhe shmangie nga tatimi.

SHPËRNDAJE