Haradinaj: Do të jemi gjithmonë përkrah njerëzve të mirë të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Harry Bajraktarin dhe Rrustem Gecajn, veprimtarë të hershëm të çështjes së Kosovës në Amerikë si dhe biznesmen të njohur, që veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në SHBA dhe Kosovë.

Haradinaj falënderoi Bajraktarin dhe Gecajn për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në të gjitha periudhat për Kosovën, duke lobuar fuqishëm në institucionet e shtetit amerikan për pavarësinë e Kosovës.“Do të jemi gjithmonë përkrah njerëzve të mirë të Kosovës, sepse ata i janë bërë zë lirisë së vendit, në kohërat më të rënda”, tha kryeministri Haradinaj.

Haradinaj përmendi se t’i nxitur shqiptarët që të investojnë në Kosovë është formuar edhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, me qëllim të ofrimit të lehtësirave më të mëdha për investitorë.

Bajraktari dhe Gecaj shprehën vullnetin e tyre për mbështetjen e Kosovës në rrugën e zhvillimit ekonomik, përmes investimeve dhe hapjes së vendeve të reja të punës.