Haradinaj i shpallë ‘luftë’ kësaj kategorie!

Kosova nuk guxon t’i mbyllë sytë dhe të bëhet tolerante ndaj ekstremizmit fetar në Kosovë. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në tryezën me temën ‘Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që shpie në terrorizëm’.

Në këtë tryezë, Haradinaj ka përmendur edhe themelimin e Ushtrisë së Kosovës, si një komponentë e rëndësishme në sigurinë e Kosovës, për të cilën tha se megjithëse nuk është tema, e ka rëndësinë e madhe në këtë aspekt.

“Kosova nuk e ka përmbyllë ende kornizën e sigurisë. Ende nuk ka përmbyllë formimin e Ushtrisë, kjo nuk është tema, por e ka rëndësinë e vet. E konsiderojmë të rëndësishme dhanien e fuqistë të të gjitha institucioneve në bazë të mandatit të tyre ligjor. Fuqizimi i mekanizmave të rendit bëhet edhe me buxhet, edhe me përkrahjen institucionale në kuadër të ombrellës së përgjithshme. Po fuqizimi i mandatit të tyre bëhet edhe duke rritë besimin në tad he përkrahjen e tyre”, tha Haradinaj, transmeton Periskopi.

Ai ka thënë se një nga mënyrat për të parandaluar terrorizmin është edhe fuqizimi i institucioneve të rendit. Tha se tolerimi i ideve ekstremiste, duhet të ketë një fund.

“Për me mujtë Kosova me luftu një të keqe, pra terrorizmin, është fuqizimi i institucioneve të rendit. Pse e gjithë kjo dhe çka dojmë me mrri me këtë? Mendoj se duhet ta shënojmë një fund qoftë për tolerancën e caktume ndaj ideve të ekstremizmit. Tolerimi i tyre do të ketë një fund”, ka thënë Haradinaj, shkruan Periskopi.

Ai ka thënë se njerëzit kompetent duhet të ushtrojnë funksionin e tyre karshi kësaj çështje, në të kundërtën, tha se duhet të lirohen nga detyra që kanë, sepse kjo është një temë tepër e ndjeshme që lidhet drejtpërdrejtë më sigurinë e Kosovës.

“Duhet ta shënojmë një fund të flirtimeve me ata që janë edhe bartës të këtyre ideve edhe nuk guxon dikush me i mbyllë sytë. Nëse dikush i ka mbyllë sytë dhe nuk ka qenë në nivel të detyrës duhet me shku në shpi dhe duhet me pasë pasoja ligjore”, ka thënë Haradinaj.

“Mendoj se kjo është ajo thelbi i asaj që mund ta konfirmojmë dhe çka duhet të ndodhë në vazhdimësi. I bjen që me këtë qasje, që po është prioritet, është prioritet i ndjeshëm se ka të bëjë me sigurinë dhe rreziqet dhe nënkupton që këkrush që është në mandate ligjor, nuk mundet as me i mbyllë sytë as me ushtru tolerancë as mos me qenë në nivel të mandatit të vet”, tha ai.

Haradinaj tha se Kosova duhet të ketë një plan serioz edhe për trajtimin e të implikuarve në luftë në vendet e huaja.

“Një plan serioz i nevojitet Kosovës me i trajtu ata që kanë qenë ose janë në luftëra të huaja, përfshirë edhe integrimin e tyre, në mënyrë që Kosova të jetë vend i sigurtë dhe të mos i vijnë befasi”, ka thënë ai. /Periskopi/

SHPËRNDAJE