Haradinaj numëron sukseset dhe sfidat e tij: Thumbon Edi Ramën, harron t’i përmend dështimet e Kosovës

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka bërë një përmbledhje të qeverisjes së tij, ku si sfidë e sheh ‘keqpërdorimin e ndjenjave fetare për përfitime gjeopolitike’, duke thumbuar kështu Kryeministrin Shqiptar Edi Rama, për postimet e tij së fundi rreth fesë.

Sidoqoftë, i pari i AAK’së tashmë deputet, siç duket ka harruar t’a përmend një sfidë tjetër, e që mbetët arsimi në Kosovë ku nxënësit e vendit po radhiten të fundit në botë.

Kosova sivjet nuk ka pasur shumë suksese, sa i përket çështjeve me rëndësi si ato politike dhe ekonomike.

Mirëpo, Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj ka radhitur disa prej tyre, si Ushtria e Kosovës, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

“Sukseset: 1. Ushtria e Kosovës po konsolidohet në ushtri inteligjente me standarde të NATOs; 2. Kosova ka arritë pavarësinë energjetike dhe Trepça është gati për investime; 3. Investitori i parë strategjik SOËI + Parku ITP – me Gjermaninë;

4. Shtrirja e sundimit të rendit dhe ligjit edhe në Veri të vendit; 5. Transparencë e plotë në qëndrime politike, vendime dhe qasje në dokumente zyrtare – tani më është bërë ndryshimi duke instaluar kulturën qeverisëse me llogaridhënie të plotë”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, si sfidë tashmë deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, po i sheh vizat, dialogun, taksën 100 përqind, por edhe keqpërdorimin e ndjenjave fetare për përfitime gjeopolitike.

Në këtë të fundit, Haradinaj siç duket e ka thumbuar ish-homologun e tij nga Shqipëria, Edi Ramën, i cili prej tërmetit vdekjeprurës, ka shfaqur më shumë besimin në fe.

“Sfidat 1. Injorimi i arritjeve të Kosovës drejt liberalizimit të vizave për arsye politike nga BE;
2. Rikthimi i dialogut në binarë – dialog mes shteteve e jo dialog për nënshtrim – Kjo logjikë duhet të vazhdojë deri në njohje reciproke në kufijtë ekzistues pa vonesa e sfida artificiale;

3. Mbajtja e taksës 100% e cila nuk e pengon reciprocitetin. Tentimet për Minishengen dhe reciprocitet bëhen për të hequr taksën dhe nënshtruar Kosovën.

Orientimi i Kosovës është drejt BE-së e jo drejt izolimit rajonal. Drejt NATO-s e jo Rusisë. 4. Keqpërdorimi i ndjenjave fetare për përfitime gjeopolitike është i rrezikshëm dhe ne duhet të jemi bashkë në luftimin e kësaj”, ka shkruar Haradinaj.

Me gjithatë, ky i fundit ka harruar të përmend një dështim të madh të shtetit të Kosovës, e që mbetet sfidë edhe për Qeverinë që do të vie në vazhdim.

Testi PISA radhiti nxënësit e Kosovës të fundit në një listë prej afro 80 shtetesh, çka nënkupton se Qeveria në largim dhe Ministria e Arsimit nuk ka qenë edhe aq të fokusuara në luftimin e kësaj sfide, që përbën edhe kryesoren në vendin tonë.

SHPËRNDAJE