Hashim Thaçi nis “luftën” me Sali Berishën: Ke strehuar Bin Ladenin e Arkanin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka reaguar Sali Berishës, ndaj deklaratave të këtij të fundit që të mos bëhet pazare me Kuginën.

Thaçi në reagimin e tij thotë se Berisha kishte strehuar Arkanin e Bin Ladenin.

Shënimi i plotë:

Jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve, po bashkim të Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mënyrë paqësore.

Ky proces, nëse tregohemi të mençur dhe të bashkuar, do të përmbyllet me njohje reciproke Kosovë – Serbi, dhe Kosova do të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare: në BE, NATO dhe OKB.

Nuk duhet t’i përsërisim gabimet siç na ndodhën me vonesën për themelimin e Ushtrisë së Kosovës apo dhe me votimin e vonuar të demarkacionit me Malin e Zi.

Për procesin e dialogut dhe marrëveshjen paqësore, Kosova e ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë rrugëtim të përbashkët, Kosova nuk do ta ketë asnjë mëdyshje, sepse liria dhe pavarësia e Kosovës, është produkt i sakrificës sonë dhe i mbështetjes euroatlantike.

Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike.

Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit.

Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës.

Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste.

Këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare.

HTH

SHPËRNDAJE