Hasi hesht kritikët grekë, dërgon Olympiacosin në Champions

Trajneri kosovar Besnik Hasi e ka rikthyer skuadrën e Olympiacosit në Ligën e Kampionëve, garë në të cilën gjiganti grek i futbollit mungoi edicionin e shkuar.

Hasi muaj më parë ishte angazhuar nga klubi grek pikërisht për këtë qëllim dhe ia doli, me gjithë kritikat dhe kundërshtimet që i pati nga tifozët grekë kur mori drejtimin e Olympiacosit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Nën drejtimin e Hasit, Olympiacosi ka siguruar fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, pasi në raundin e tretë eliminator të kësaj gare eliminoi Partizanin e Beogradit dhe pastaj Rijekën e Kroacisë në plejof.

Olympiacosi të martën mbrëma konfirmoi kalimin në Ligën e Kampionëve, pasi edhe në ndeshjen e dytë mposhti kampionen e Kroacisë, Rijekën (1:0) në shtëpi. Dueli i parë në Athinë, që u zhvillua gjatë javës së shkuar kishte përfunduar me fitoren e Olympiacosit me shifrat 2:1.

Pas kualifikimit në Ligën e Kampionëve, Hasi ka pranuar se aspak nuk e ka pasur të lehtë një arritje të tillë për shkak të presioneve të mëdha që i ka pasur te kampionët e Greqisë.

SHPËRNDAJE