Haziri: PDK u frikësua nga marrëveshja e fshehtë e LDK-së me Vetëvendosjen

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri është i bindur se PDK ka lidhur koalicion me AAK-në dhe Nismën, e frikësuar se LDK ka marrëveshje të fshehtë me Vetëvendosjen, e cila ka zgjedhur që në zgjedhjet 11 qershorit të garojë e vetme.

Duke folur për RTV Dukagjini, nënkryetari i LDK-së ka thënë se me Vetëvendosjen vetëm kanë komunikuar dhe asgjë më shumë.

“PDK në vitin 2014 është dorëzuar karshi LDK-së. Ndërsa natën, para një jave në zhvillimet e fundit, është dorëzuar karshi AAK-së dhe Nismës, nga frika që LDK dhe Vetëvendosje po bëjnë koalicion dhe jo LDK e AKR”, tha Haziri.

Sipas tij, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është dorëzuar shumë herët, duke hequr dorë nga posti i Kryeministrit.

“Nuk është befasi për mua, sepse PDK ka hequr dorë nga qeverisja, kësaj here me z. Veseli, i cili u dorëzua para se të futet në garë. Ata janë një kohë të gjate në vijën e dytë dhe besoj se do të mbesin në vijën e dytë”, tha ai.

Haziri tha se “Koalicioni PDK-AAK-Nisma është dashur t’i ftojë edhe minoritetet në listën zgjedhore, meqë kishin edhe përkrahjen e tyre për rrëzimin e Qeverisë me mocion”.

SHPËRNDAJE