Hekuran Murati: Deputetët të verifikojnë çdo gjë që tha Blerim Devolli para Komisionit hetimor

Biznesmeni Blerim Devolli ishte i thirrur që të raportojë sot para Komisionit Hetimor në cilësinë e pronarit të Z-Mobile. Megjithatë, shumëkush vlerësoi se deputetë nuk e bënë punën sic duhet pasi ata nuk ishin të përgatitur për këtë. Ndërkohë që u vlerësuar po ashtu që ato që u thanë nga Blerim Devolli teksa përgjigjej para deputetëve duhet të verifikohen.

Njohësi i ekonomisë Hekuran Murati thotë se Blerim Devolli kishte shkuar në Komision Hetimor për të mos u përgjigjur.

“Nga ajo që u pa gjatë intervistimit, ishte e qartë që z. Devolli kishte shkuar aty me qëllim që të mos përgjigjej, sepse sa më pak që thua, aq më pak do të ketë material me potencial inkriminues për personin që përgjigjet” ka thënë Murati në një prononcim për Gazetën Express.

Por, a u tha diçka e rë në këtë seancë?

“Diçka e re që u përmend ishte shifra prej rreth 60 milionë eurove e cila u prezantua si totali i të hyrave të Z-mobile përgjatë 10 viteve të fundit. Megjithatë, kjo shifër, e cila mbetet për t’u verifikuar nga komisioni hetimor, nuk paraqet pasqyrim të drejtë të vlerës së dëmit të shkaktuar ndaj Telekomit. E ky dëm sillet në qindra miliona euro të hyra potenciale nga të cilat Telekomi është privuar pikërisht për shkak të kontratës. Fakti që Z-mobile ka shitur shërbimet nën çmim të kostos, dhe rrjedhimisht ka realizuar më pak të hyra sesa dëmi që ka bërë, nuk e amniston aspak përsa i përket përgjegjësisë” ka thënë shtuar Murati.

Pas përfundimit të seancës, Z- Mobile ka lëshuar një njoftim për media ku thuhet se “gjithashtu, do theksuar përsëri se Z Mobile në asnjë formë nuk e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës, ashtu siç pretendohet të paraqitet nga qarqe të caktuara”

Murati thekson se pretendimet e tilla janë absurde.

“Pretendimi se Telekomi ka fituar diçka nga kjo kontratë është absurd. Z-mobile ka mbajtur 73% të të hyrave, dhe shpenzimin e vetëm e ka pasur atë të shitjes dhe marketingut., Ndërsa Telekomi në anën tjetër me 27% të të hyrave është dashur të mbulojë investimet në rrjetin fizik, inxhinierët, si dhe zhvillimin e teknologjive të reja” ka theksuar ai.

Tutje, Murati thekson se Komisioni hetimor që ka intervistuar Devollin duhet ti verifikojë të gjitha ato që ai i ka thënë para deputetëve.

“Konsideroj që pas këtij intervistimi, deputetët duhet të verifikojnë me kujdes çdo gjë që është thënë sot, dhe t’a krahasojnë me të dhënat nga pasqyrat financiare, procesverbalet, vendimet gjyqësore, etj. Po ashtu, deputetët duhet të ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore për të siguruar edhe dokumente shtesë nga institucionet e vendit. Dhe pas kësaj të ftohet në intervistim përsëri po qe nevoja, gjithsesi në seancë të hapur për publikun” ka thënë ai.

Ndryshe Z –Mobile kishte filluar funksionimin me një kontratë të nënshkruar në vitin 2009, në mes Telekomit të Kosovës, si kompania më e madhe publike në Kosovë. Sipas kësaj kontrate, Z-Mobile do të përdorte të gjithë infrastrukturën e Telekomit të Kosovës, për të nisur një biznes brenda tij , pa asnjë investim paraprak. Zyrtarët e Telekomit të Kosovës ishin pajtuar që t’ia ndërtonin vetës një konkurrent, i cili më vonë do t’i korrte 78% të fitimeve, karshi 22% që do t’i shkonin kompanisë amë. E për të mos përfunduar me kaq, dikush brenda Telekomit të Kosovës ishte përkujdesur që kontrata të mos respektohej, duke bërë që çështja të shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Në dhjetor të 2016’ës, Gjykata e Arbitrazhit mori vendim që Telekomi t’i paguante 32 milionë euro Blerim Devollit, e këtu përfshiheshin edhe 4.5 milionë euro që Z-Mobile ka shpenzuar për mbrojtje në Arbitrazh. Kontrata e Z-Mobile do të skadojë më 1 korrik.

SHPËRNDAJE