Heroi i Kosovës ndaj Bullgarisë e kujton në këtë mënyrë natën historike

Elbasan Rashani e ka postuar një fotografi në Instagram përmes së cilës e ka kujtuar natën magjike mbrëmë, ku u bë hero pasi e shënoi golin e fitores ndaj Bullgarisë në minutat shtesë

Elbasan Rashani nuk e kishte menduar kurrë një natë si ajo e mbrëmshmja.

Futbollisti kosovar u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë dhe e ndihmoi Kombëtaren e Kosovës ta fitojë ndeshjen e madhe dhe historike ndaj Bullgarisë.

Ai shënoi gol në minutat shtesë me kokë, ndërsa paraprakisht i lëshoi dy raste të mira shënimi.

Kosova fitoi 3:2 dhe Rashani u bë hero për golin që e shënoi, në fitoren e parë të “Dardanëve” ndonjëherë në një ndeshje eliminatore të Evropianit.

“Diçka rreth natës së mbrëmshme”, ka shkruar Rashani, i cili e postoi një fotografi duke festuar me shokët e skuadrës.

Krahas tij, për Kosovën shënuan edhe Milot Rashica e Vedat Muriqi.

Verdhekaltrit gjenden në pozitën e tretë në tabelën e Grupit A të eliminatoreve për Euro 2020 me 5 pikë, një më pak se liderët Anglia e Republika Çeke.

Kosova e ka fituar një lojë dhe ka barazuar në dy të tjera.

Ndeshjen tjetër, skuadra e Bernard Challandes do ta zhvillojë më 7 shtator ndaj Çekisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE