“Heshtet” Policia e Kosovës, as pas mbërritjes së dosjes së dytë “sekrete” në adresë të OVL-UÇK-së, asnjë fjalë

Sot, për herë të dytë në zyrat e OVL-UÇK-së, kanë mbërritur dosje sekrete të Gjykatës Speciale.

Kjo është bërë e ditur me anë të një konference për media nga Kryesia e OVL-UÇK-së.

Ata kanë theksuar se kjo dosje ka ardhur nga një person i panjohur rreth orës 15:30 minuta, person i cili nuk është mundur të kapet në flagrancë pasi ka lënë dosjet.

“Dosjen e ka sjellë dikush sot në orën 09:15. Ka qenë me syze, me maskë dhe kapelë. Vetëm e ka lënë pakon dhe ka ikë. Në fillim jemi frikësuar se çka mund të ketë, pasi e kemi hapur me kujdes e kemi parë që ka material të Gjykatës Speciale”, ka thënë Gucati.

“Gazeta Blic” për këtë çështje ka provuar të kontaktojë Policinë e Kosovës por nuk ka marrë përgjigje nga ana e tyre, duke heshtur rreth kësaj çështjeje.

Kujtojmë se kjo është hera e  dytë që në zyrat e OVL-UÇK-së, kanë mbërritur dosje të tilla nga persona të panjohur.

Edhe me datën 7 shtator në adresë të OVL-UÇK-së ka mbërritur një paketë me 400 dosje të Gjykatës Speciale.

Gjykata Speciale muajt e fundit ka intensifikuar veprimtarinë e saj duke bërë publike edhe aktakuzat për presidentin Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri veseli.

SHPËRNDAJE