Hoxha nga Peja: Isai a.s nuk do të kthehet, Dexhalli është mit, Mehdiu nuk ka lindur

Teologu nga Peja i cili ka marrë vemendjen e publikut me qëndrimet e tij ndaj disa besimeve fetare islame, Drilon Gashi, vazhdon të befasojë me ato qëndrime, shkruan Veriu.info

Ai po vazhdon të sfidojë besimet e doktrinës më dominante të fesë Islame. Kësaj radhe ai ka hedhur poshtë besimet e shumë myslimanëve në lidhje me njërin nga profetët më të rëndësishëm të Islamit, Jezusin apo, siç njihet në Islam, Isain.

Gashi gjithashtu ka kundërshtuar besimin mbi figurën e Dexhallit, për të cilin myslimanët besojnë se do të vijë e luftojë besimtarët pak kohë para fundit të botës dhe besimin mbi figurën e Mehdiut, për të cilin besojnë se do të vijë për të përhapur Islamin dhe për të sunduar me ligjet e Islamit apo sheriatit në gjithë botën.

Më konkretisht, në lidhje me Isain, Gashi ka kundërshtuar besimin se ai do të kthehet para fundit të botës me arsyetimin se s’ka fakte që një gjë e tillë do të ndodhë. Për figurën e Dexhallit thotë se është mit, ndërsa për Mehdiun thotë që s’ka lindur, ku duket se konteston besimin se ai do të paraqitet ndonjëherë.

Ndryshe, teologu Gashi vazhdimisht ka kundërshtuar format radikale të Islamit. Para disa muajve BIK e pushoi nga puna për shkak të përpjekjeve të tij për ta pajtuar fenë me faktet shkencore dhe për një qasje dukshëm më liberale për tema të ndryshme.

Gashi ka akuzuar BIK se në gjirin e saj po strehon klerikë radikalë që njihen me qëndrimet e tyre për sekularizmin, vlerat liberale, SHBA-në dhe dhënies përparësi dogmës përpara fakteve shkencore. /Veriu.info

SHPËRNDAJE