Hoxha nga Prishtina reagon kundër teksteve me përmbajtje krishtere në librat e shkollave fillore

Imami nga Prishtina, Husamedin Abazi ka reaguar në lidhje me debatin e hapur sot për përmbajtjen e fjalëve të huaja në librin e Edukatës Muzikore në shkollat fillore të vendit, teksa ka mbrojtur fjalën “Mashallah” që është evidentuar në tekstet e librave të shkollave në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Abazi ka thënë se fjala “Mashallah” – e cila është evdentuar në librin e Edukatës Muzikore – është fjalë që, sipas tij, gjendet edhe në fjalorin e gjuhës shqipe. Ai e ka quajtur “çmenduri” kërkesën e disa prindërve që kanë kërkuar sot që të hiqet fjala “Mashallah” nga teksti i këngës “Dy dele treqind pare” në librin e Edukatës Muzikore.

“Turp ju qoftë!! Besoj se të gjithë e pamë çmendurinë e radhës që ndodhi ditën e sotme! Kërkohet të hiqet një këngë nga teksti i klasës së parë për arsye se ka fjalë të huaja në të, më saktësisht aty është fjala: ‘Mashallah’ dhe e cila na qenka fjalë e huaj!”, ka shkruar fillimisht imami nga Prishtina.


“Të gjithë e dimë se fjala Mashallah është nga pasurimet që i janë bërë gjuhës sonë të ëmbël shqipe dhe e cila jo vetëm se përdoret ne fjalorin popullor por edhe është e evidentuar në Fjalori-in e gjuhës së sotme shqipe”, ka deklaruar Abazi.

Por, imami i Xhamisë së Katër Llullave në Prishtinë ka kontestuar “përmbajtjen krishtere” të cilën ai ka thënë se e ka evidentuar në librin e gjuhës angleze “Follow me 1” e cila është pjesë e programit të shkollave fillore në Kosovë.

Abazi ka kontestuar këngën “Urime krishtlindjet” që është pjesë e librit “Follow me 1” në kuadër të lëndës së gjuhës angleze në shkollat fillore.

“Për fat të keq, të njëjtëve nuk ju pengojnë çoroditë që ju imponohen nxënësve me përkatësi 98% Islame, si tekstet me përmbajtje komplet krishtere në disa libra të shkollës fillore! Më poshtë po ju sjellim vetëm 2-3 shembuj nga libri ‘Follow me 1’ për klasën e lll-të ku këndohet për krishtlindjet dhe ku ju ofrohet nxënësve fotografia e Nënës me libër (Bibël) me kryq!”, ka thënë ai. /Insajderi.com

SHPËRNDAJE